Java e re pritet të karakterizohet me mot të ndryshueshëm dhe me ulje të lehta të temperaturave. Përpos intervaleve kohore me diell herë pas here priten vranësira dhe riga lokale shiu. Reshje të mëdha atmosferike nuk priten as gjatë kësaj jave.
Java nis me intervale kohore me diell, por edhe me zhvillim të vranësirave. Erërat do të fillojnë të fryjnë nga veriu. Rrallë në disa rajone gjatë ditës së hënë priten edhe riga lokale, afatshkurtra shiu. Temperaturat pritet të pësojnë ulje.
Dita e martë sjellë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira të herëpashershme, por pa reshje atmosferike. Erërat përsëri do të fillojnë të fryjnë nga jugperëndimi.
Nga e mërkura erërat jugore dhe jugperëndimore përsëri fuqizohen në disa rajone, por nuk priten erëra ekstreme. Po ashtu temperaturat rriten përsëri për shkak të rrymimeve ajrore nga jugu, megjithatë mbetet pak më freskët krahasuar me javës që lamë pas. E mërkura po ashtu sjellë edhe reshje shiu sidomos në Shqipëri, ndërsa në Kosovë pasdite vonë priten riga lokale shiu. Mund të ketë edhe ndonjë rrebesh të izoluar shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Nga e enjta përsëri pa reshje. Priten alternime mes vranësirave dhe intervaleve kohore me diell. Temperaturat shënojnë rritje të premtën, ndërsa sipas ecurive aktuale sinoptike të shtunën në rajon depërton një front i ftohtë ajror nga veriu. Ky front kushtëzon ulje të temperaturave dhe reshje kalimtare shiu.
Nga e diela stabilizim i sërishëm i motit.
Ishte ky parashikimi javor i motit nga MeteoBallkan dhe ndryshimet në parashikim janë mëse të mundshme për shkak të gjendjes mjaft të komplikuar sinoptike. Nëse ka ndonjë ndryshim ne do ju njoftojmë në postimet tona të përditshme./Meteoballkan