Sot kemi qendrën ciklonike të pozicionuar në mes të Detit Adriatik. Ky ciklon ka shkaktuar përkqësim të motit në shumë shtete ballkanike duke kushtëzuar reshje të dendura shiu në viset e ulëta dhe reshje të dendura bore në viset malore. Gjatë orëve të ardhshme reshjet pritet të intensifikohen në Mal të Zi dhe veri dhe veriperëndim të Shqipërisë ku priten rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Në veri të Malit të Zi do të fillojnë edhe reshjet e borës. Reshje bore priten në tërë rajonin në viset malore. Reshje të dendura dhe rrebeshe të fuqishme lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë priten në Kroaci, Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.
Gjatë natës dhe nesër edhe në Kosovë priten reshje të herëpashershme dhe lokale shiu. Nesër do të ketë edhe erëra të fuqishme perëndimore në disa pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Reshjet do të përqëndrohen përsëri në veri dhe veriperëndim të Shqipërisë si dhe në shumë pjesë të qendrës. Më së paku reshje këto ditë do të ketë në jug të Shqipërisë dhe në Maqedoninë e Veriut, megjithatë nuk përjashtohen rrebeshet lokale të shiut me vetëtima dhe bubullimë edhe në këto rajone.
Të premtën mund të kemi përmirësim afatshkurtër të motit, kurse në fundjavë do të kemi reshje të reja dhe të dendura atmosferike në tërë rajonin. Detaje tjera në postimet tona të ardhshme./Meteoballkan