Cikloni i fuqishëm në veri të Detit Adriatik po shkakton stuhi të fuqishme në Ballkanin perëndimor, ndërsa sistemi i vranësirave nga ky ciklon ka përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosoven. Reshje shiu kanë përfshirë Shqipërinë dhe kanë filluar edhe në Kosovë, ndërsa në malet e larta po bie borë.
Orëve në vazhdim pritet intensifikim i reshjeve të shiut sidomos në Shqipëri, por lokalisht edhe në Kosovë sidomos në Dukagjin dhe juglindje të Kosovës, por në mbrëmje reshjet do të pushojnë në shumë vende, për të vazhduar në Shqipëri dhe veriperëndim të Kosovës herë pas here ende.
Duke filluar nga nesër (e mërkurë) moti do të fillojë të qetësohet sadopak, mirëpo nuk pritet stabilizim i plotë i kushteve atmosferike, ngase ende priten vranësira dhe reshje të herëpashershme lokale. Lajmi i mirë është se intensiteti i reshjeve do të zvogëlohet dukshëm, ndërsa e premta sjell një ditë pa reshje atmosferike.
Për fundjavë priten vranësira të reja dhe reshje shiu, por edhe mundësi për reshjet e para të borës në shumë vise të Republikës së Kosovës./MeteoBallkan