Se çfarë gjendje kemi në këto momente flasin më së miri imazhet aktuale satelitore të cilat e paraqesin gjendjen e atmosferës ashtu siç është. Në tërë rajonin që nga Sllovenia e deri në Serbi ka rrebeshe dhe stuhi të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë, por njëkohësisht ka edhe mot me diell.
Kështu ndodhë kur nuk kemi ciklon të definuar e megjithatë kemi masa ajrore jostabile të cilat sillen retherrotull. Pra, në një rajon ka rrebeshe dhe në një tjetër rrëzon dielli.
Mot mjaft jo stabil do të ketë në Kosovë, pjesë të Shqipërisë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi nesër dhe pasnesër ku përpos intervaleve kohore me diell, herë pas here priten edhe rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Reshje më të pakta priten në jug dhe perëndim të Shqipërisë.
Në fundjavë pritet stabilizim afatshkurtër i motit (jo i tërësishëm), kurse nga e diela vonë fillimisht në Shqipëri e pastaj edhe në Kosovë dhe vise tjera priten reshje shiu, vende – vende edhe rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë si pasojë e ciklonit më të ri që do të vije tek ne nga Mesdheu./Meteoballkan