Temperatura më të freskëta kanë depërtuar në Ballkan sidomos në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë dhe Hercegovinë ku temperaturat janë rreth ose pak nën vlerat mesatare për këtë periudhë kohore, ndërkohë në viset tona vazhdon vala e fuqishme e nxehtësisë verore, edhe pse me tendencë të dobësimit, por mbetet e padurueshme për shkak të zagushisë së madhe.
Duket sikur ajri afrikan ka formuar një “kështjellë mbrojtëse” përreth territoreve tona dhe nuk tërhiqet tutje.
Reshjet dhe rrebeshet e shiut deri tani në viset tona ishin të izoluara dhe freskia ishte afatshkurtër dhe kjo do të vazhdojë edhe tri ose katër ditët e ardhshme. Nxehtësia afrikane në viset tona vazhdon të paktën edhe për tri ditë, por me ndërprerje në disa zona ngase parashihen stuhi të izoluara, kurse vazhdon zagushia e madhe për ta bërë të nxehtit të padurueshëm sidomos në ato zona që nuk do të kenë fatin të kenë ndonjë stuhi ose rrebesh të fortë shiu.
Megjithatë, trysnia e Atlantikut do të bëjë të veten dhe në fund do të dal triumfuese kundër të nxehtit afrikan, sepse të mërkurën e më së largi të Enjten temperatura më të freskëta dhe më të këndshme më në fund depërtojnë përfundimisht në viset tona duke i dhënë fund valës të nxehtësisë. Kjo do të shoqërohet me një front të fuqishëm të ftohtë ajror dhe me rrebeshe intensive shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Pra, deri të mërkurën vazhdon nxehtësia afrikane me tendencë dobësimi dhe me stuhi lokale. Të mërkurën me ardhjen e një sasie më të fuqishme të ajrit nga Atlantiku më në fund do të kemi ulje të ndjeshme të temperaturave dhe përfundim të valës së fortë të nxehtësisë afrikane.
Këto janë tendencat e fundit meteorologjike dhe ndryshime mund të ndodhin sepse ditëve të fundit modelet nuk kanë qenë aq konsistente duke ndryshuar në momentet e fundit dhe duke bërë parashikimin mjaft të vështirë. Mbetet të shihet evoluimi i gjendjes sinoptike, ndërsa për sot (e Shtunë) përgatituni për ndonjë stuhi të fuqishme me breshër, por vetëm në disa rajone./MeteoBallkan