Java që po hymë do të karakterizohet me mot shumë të nxehtë dhe me zagushi. Temperaturat do të kulmojnë këtë javë e cila shënon edhe fillimit e muajit më të nxehtë të vitit Korrikut. Afrika Veriore edhe pse me vonesë sivjet më në fund do ti “drejtojë antenat” në drejtim të rajonit tonë me një fuqi solide, megjithatë vala e pare e fuqishme tropikale nuk pritet të zgjasë shumë sepse me afrimin e fundjavës nga Atlantiku afrohen edhe masat ajrore të freskëta dhe po ashtu edhe masat e lagështa ciklonike.
Sidoqoftë, fillimi i javës do të karakterizohet me mot me diell dhe mjaft i nxehtë. Të martën disa rajone në Kosovë mund të freskohen por vetëm pak për shkak të një fronti të dobët të ftohtë ajror i cili nuk do të hetohet në shumë pjesë të vendit.
Nga e mërkura pritet ri-fuqizim i masave të nxehta ajrore me origjinë nga Afrika Veriore. I nxehti pritet të jetë përcëllues. Rrallë në ndonjë rajon (kryesisht kodrinoro-malor) mund të ketë ndonjë rrebesh të izoluar shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Megjithatë nga dita e premte ose e shtune pritet që në pjesët kontinentale të rajonit (Kosovë dhe disa vise të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut) të fillojnë të depërtojnë masa pak më të freskëta dhe jo stabile ajrore me origjinë nga Atlantiku. Këto masa jo stabile ajrore pritet të shkaktojnë destabilizim të motit veçanërisht në fundjavë kur priten rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër.
Pra karakteristike kryesore e kësaj jave do të jetë i nxehti përvëlues afrikan, kurse fundjava na sjell freskim të mundshëm dhe destabilizim potencialisht të fuqishëm të motit.
Ishte ky parashikimi i motit për javën e parë të Korrikut 2020 dhe nëse eventualisht do të kemi ndonjë ndryshim do të njoftoheni me kohë në postimet tona të përditshme./Meteoballkan