Kosova, deponi veturash që përhapin helm
Pasi Mërgim Xh. shkel mbi padalën e gazit, një shtëllungë tymi ia mbërthen thuajse tërë veturën e tij, të ndalur në një cep të rrugës nga Fushë-Kosova për në Prishtinë. Kur makina nis të lëvizë, tymi shpërndahet, humb në dendësi dhe bëhet më pak i vërejtshim.
Mërgimi është rreth të 20-ave. Me veturën më të vjetër se vetë ai, më shumë se dhjetë herë hyn secilën ditë në Prishtinë. Punon “Njësh”, kod ky për taksinë në relacionin Prishtinë-Fushë Kosovë. Është punë që ai dhe shumë të tjerë e bëjnë ilegalisht.
Ky i ri tregohet fare indiferent kur pyetet për dëmin në mjedis e shëndet që shkaktohet nga qarkullimi i veturave, sikur e tij.
“Edhe unë kisha pasë qef me e pasë kerrin ma të mirë, e edhe ni punë ma të mirë, po nuk i kom”, thotë Mërgimi në buzagaz, tek justifikon ngasjen e automjetit në këtë shkallë amortizimi. “Ndoshta ni ditë e boj ni ma të ri”.
Rruga shtatëkilometërshe, në të cilën ky i ri punon taksi, është ndër të paktat në Kosovë që në gjithë gjatësinë ka trotuare dhe shirit për çiklistë. Por, në këto shtigje të gjelbra fare rrallë hasen njerëz tek ecin ose ngasin biçikletë. Banorët e qytetit të dendur, por edhe vizitorët e zonës industriale që shtrihet në të dyja anët e rrugës zgjedhin transportin me djegie.
Rinora Gojani është ndër pak prishtinasit që në qytet nuk lëviz me veturë. Ajo i takon një familjeje që pedalojnë.
“Babi bën pazar me biçikletë, një nga motrat çdo ditë shkon në punë me biçikletë, nëpër rrugën për Fushë-Kosovë. Unë e kam veturën, por nëpër Prishtinë thuajse kurrë nuk e përdor, sepse gati gjithmonë dal me biçikletë ose eci këmbë”, thotë Gojani. “Janë dy arsye përse e bëj këtë: për shkak se mbërrij më shpejt, dhe dua të jap shembull”.
Prishtina është ndër vendbanimet me qarkullimin më të madh të automjeteve. Afërsisht 135 mijë hyrje mjetesh motorike realizohen çdo ditë. Frekuentimi i tyre nuk është i intensitetit të njëjtë gjatë gjithë 24-orëshit. Më i madh është në intervalin kohor 7:00 deri në 19:00.
Habib Qorri është udhëheqës i Sektorit për shërbime publike në kryeqytet. Ai tregon arsyet pse ka një frekuentim të këtillë automjetesh.
“Rrugët regjionale që lidhin qendrat e tjera me Prishtinën kalojnë në qytet ose e tangojnë qytetin”, thotë Qorri. “Kjo bën që Prishtina të jetë shumë e ngarkuar me automjete të kategorive të ndryshme, që njëherësh ndikojnë edhe në ndotjen e ajrit”.
Automjetet me shkallë të lartë amortizimi janë ndër “meritorët” më të mëdhenj pse, që nga vjeshta e vonë e deri në pranverën e hershme, Prishtina shpesh të rangohet si kryeqyteti me ajrin më të ndotur në nivel bote. Disa matës tregojnë se lagjja më e atakuar është ajo ku automjetet e kanë frekuentimin më të madh – Dardania. Kjo lagje është përzgjedhur për ta vendosur një matës të cilësisë së ajrit, meqë ajo kufizohet me bulevardin “Bill Clinton”, që përbën portën për automjetet që hyjnë në kryeqytet nga rreth gjysma e Kosovës: rajoni i Mitrovicës, i Prizrenit, i Pejës dhe rajoni i Gjakovës.
Qytetet gjithandej Kosovës kanë qarkullim të lartë automjetesh.
Edhe në Gjakovë kanë bërë një matje përkitazi me numrin e hyrjeve të mjeteve motorike në pesë portat kryesore të qytetit.
Lekë Sina është udhëheqës i sektorit për komunikacion, që funksionon në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në këtë komunë. Ai tregon për rezultatin e matjeve. Thotë se mesatarja e hyrjeve në qytet nga drejtimi Klinë-Prishtinë është 6.938 automjete, nga drejtimi i Prizrenit 6.617, nga drejtimi i Pejës 12.618.4, nga drejtimi i Qafë-Prushit 3.349, si dhe nga drejtimi i Qafë-Morinës 7.761 hyrje automjetesh në ditë.
Kësisoj, mesatarja e hyrjeve të automjeteve brenda ditës në qytet, nga të gjitha portat, është 37.283.
Përderisa në këtë komunë i dinë shifrat, nuk dinë për hisenë që ky frekuentim ka në ndotjen e ajrit.
“Nuk kemi matje për ndotje të ajrit që shkaktohet nga automjetet”, thotë Sina. “Pasi që nuk kemi bërë matje të ndotjes së ajrit nga automjetet, nuk kemi politika për reduktim të ndotjes, nëse ajo na del të jetë e lartë”.
As në kryeqytet nuk dinë për kontributin e përafërt që automjetet kanë në ndotjen e ajrit. Por, për të vlerësuar shkallën e ndotjes dhe shkaktarët e saj është duke u zhvilluar një projekt me organizatën japoneze për bashkëpunim ndërkombëtar, JICA, e cila është duke bërë studime të hollësishme për të gjithë shkaktarët që ndikojnë në ndotjen e ajrit në Prishtinë e sidomos gjatë sezonit të dimrit. Vetëm pas finalizimit, sipas autoriteteve në kryeqytet, do të dihet hisja në ndotje që vjen nga mjetet e transportit rrugor.
Kosova si varrezë
Por, ka diçka që dihet – Kosova është kthyer në varrezë për automjetet që vendet e zhvilluara po i largojnë. Ato doganohen e regjistrohen, ndonëse janë shumë të vjetra dhe kanë shkallë të lartë amortizimi.
Janë pesë periudha që e karakterizojnë historikun e dy dekadave të fundit, të rregullimit të importit të veturave.
E para i referohet kohës së pasluftës dhe themelimit të doganave, kur importi nuk rregullohej. Pas saj, në vitin 2005 vjen ajo e vendosjes së akcizës dhe e vënies së ndalesës së importeve për automjetet më të vjetra se 8 vjet.
Faza e tretë e ka nisjen në vitin 2011, kur Qeveria përshkallëzoi akcizën në vetura dhe e zgjeroi kufizimin e vjetërsisë deri në 13 vjet. Ky vendim thuajse kishte dyfishuar importin e veturave – ishte rritur për 44 për qind.
Periudha e katërt merr start në muajin mars të vitit 2015, kur ishte hequr kufizimi i vjetërsisë, e bashkë me të ishte përshkallëzuar akciza.
Faza e pestë nis me kufizimin e serishëm të vjetërsisë në 10 vjet, të veturave që importohen. Kufizimi nuk është hequr, ndonëse këtë vit kishte një nismë ligjore në Kuvend që të lejohej importi i automjeteve edhe më të vjetra, nën justifikimin se xhepi i banorëve të shtetit prej më të varfërve në Evropë, nuk e përballon çmimin e veturave më të reja se 10 vjet.
Mbështetur në të dhënat që Ministria e Punëve të Brendshme ia ka prezantuar gazetës, aktualisht numri i automjeteve me të drejtë qarkullimi në Kosovë është 343.054. Janë edhe 130.386 automjete pa të drejtë qarkullimi, ndërsa numri i automjeteve të paregjistruara është 50.517.
Mbështetur në statistika që Dogana ia ka ofruar gazetës, 140.577 vetura janë importuar vetëm në gjashtë vitet e fundit. Pjesa më e madhe e tyre, përkatësisht 64.347 sosh, kishin hyrë në Kosovë gjatë vitit 2016 dhe 2017. Nga taksa doganore për to, në arkën e shtetit kanë shkuar 335.199.256.42 euro për këta gjashtë vjet.
Në anën tjetër, numri i veturave me motor hibrid, e të cilat nuk shkaktojnë ndotje, ka qenë fare i vogël. Sipas këtyre të dhënave doganore, të këtilla janë importuar vetëm 65 sosh.
Pjesa më e madhe e importit të automjeteve janë ato që lëndë djegëse kanë naftën. Çmimi i të tillave në vendet e zhvilluara evropiane, e veçmas në Gjermani, ka rënë dukshëm pas politikave gjithnjë e më të shtrënguara ndaj tyre, kryesisht për shkakun që lidhet me ndotjen.
Në Kosovë më shumë se 80 për qind e veturave janë me naftë, cilësia e të cilit karburant jo rrallëherë shihet me dyshim. Edhe politikat fiskale që aplikon shteti janë të atilla që nuk stimulojnë blerjen e veturave që lëndë djegëse kanë benzinën, karburant ky më pak kontribuues në ndotje. Akciza për një litër naftë është 38 centë, ndërsa për një litër benzinë vetëm dy centë më pak.
Ministria e Mjedisit e ka në mandat që të monitorojë dhe inspektojë gjendjen e mjedisit në tërë territorin e Kosovës. Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, që funksionon në kuadër të kësaj ministrie, ka bërë inventarizimin e gazrave serë dhe ka ardhur në përfundimin se 12 për qind të emisioneve të këtyre gazrave rrjedhin nga transporti.
Në ndotësit kryesorë që shkarkohen në ajër nga mjetet e transportit bëjnë pjesë: dyoksidi i karbonit (CO2), hidrokarburet, grimcat PM10 dhe PM2.5, dyoksidi i sulfurit (SO2), e edhe metalet e rënda, si Plumbi (Pb), Arseniku (As), Kadmiumi (Cd), Seleni (Se) dhe Zinku (Zn).
Raporti i cilësisë së ajrit për vitin e shkuar përmban disa të dhëna dramatike. Dokumenti ka evidentuar se si në një periudhë të gjatë grimcat PM10 dhe PM2.5 janë disa herë më të larta se normat e lejuara.
Në Han të Elezit, komunë në kufirin me Maqedoninë, gjatë gjithë vitit pjesëmarrja e këtyre grimcave të rrezikshme ka qenë në shkallë shumë përtej vlerës maksimale të lejuar.
“Sezoni vjeshtë-dimër çdo vit shënon ngritje te vlerave ndotëse në ajër. Edhe gjatë vitit 2018 shënoi vlera shum? t? larta t? pluhurit n? form? PM 10 dhe PM2.5 n? disa lokalitete të vendit”, thuhet në raportin për vitin 2018, referuar Kosovës. “Tejkalime t? theksuara t? vlerave maksimale t? lejuara kishte pothuaj n? shumicën e stacioneve monitoruese dhe atë gjat? muajit janar, shkurt, tetor, nëntor dhe dhjetor 2018”.
Tafë Veselaj është udhëheqës i Sektorit të monitorimit të mjedisit, i cili funksionin në kuadër të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit. Tek flet për ndotjen e ajrit, ai tregon se mesatarja e viteve të vjetërsisë së veturave që qarkullojnë në Kosovë është mbi 15-18 vjet. Kjo është më e madhe se dyfishi i mesatares së vjetërsisë së automjeteve që janë në qarkullim në vendet e BE-së.
Veselaj konstaton se kjo ka bërë që transporti të jetë ndër kontribuuesit më të mëdhenj në ndotjen e ajrit.
“Mesatarja e vjetërisë së veturave që qarkullojnë në Kosovë është rritur dukshëm, përderisa në shtetet e Bashkimit Evropian mesatarja e vjetërsisë është vetëm 8 vjet. Sa më të vjetra të jenë veturat, aq më shumë konsumojnë karburant. Veturat me mbi 250 mijë kilometra të kaluara lirojnë katër herë më shumë gazra se ato të rejat”, thotë Veselaj. “Kjo e bën transportin një ndër kontribuuesit më të mëdhenj të ndotjes së ajrit në Kosovë, krahas ndotjes nga industria”.
Instituti GAP, një Think-Tank i themeluar prej 12 vjetësh, në 2015-n ka bërë një analizë të politikave qeveritare për importin, regjistrimin dhe kontrollimin e veturave. Vëmendje i ka kushtuar edhe ndotjes. Mbështetur në të, veturat shkaktojnë ndotje po aq sa termocentralet e Kosovës, të cilat emetojnë dyoksid karboni rreth 6.4 milionë tonë në vit.
“Sipas një llogaritjeje të thjeshtë, ky numër është i të njëjtit rend të madhësisë me atë që emetojnë veturat”, thuhet në studimin e GAP-it.
Braktisja e standardeve
Shkaqet më kryesore që e prodhojnë këtë shkallë ndotjeje nga automjetet lidhet me vjetërsinë e tyre, kontrollimin teknik joadekuat në qendrat e kontrollit teknik, si dhe me cilësinë e lëndëve djegëse.
Ministria e Mjedisit ka si obligim të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm. Në vitin 2016 ky institucion e ka nxjerrë një udhëzim administrativ mbi normat e lejuara të shkarkimeve në ajër nga burimet e lëvizshme të ndotjes. Udhëzimi promovon standardet e vendosura në legjislacionin referent të institucioneve të Bashkimit Evropian, përkitazi me emetimin e gazrave nga automjetet e lehta për udhëtarë dhe automjetet komerciale. Mes tyre janë edhe “Euro” standardet, që BE-ja ka nisur t’i aplikojë prej gati tri dekadash, kur e ka futur në fuqi standardin “Euro 0”, për të vazhduar deri në standardin e fundit të vitit 2014, atë “Euro 6”. Sa më i lartë “Euro” standardi, aq më e vogël është sasia e shkarkimit të gazrave.
Udhëzimi administrativ i Ministrisë përcakton detyrimet e përdoruesve të automjeteve, kontrollin e nivelit të shkarkimeve në ajër gjatë kontrollimit teknik të automjetit, kërkesat për automjetet e importuara, normat e lejuara të shkarkimeve në ajër nga automjetet në qarkullim, vlerësimin e gjendjes teknike të automjetit, nivelin e vlerave të ndotësve që shkarkohen nga automjetet, automjetet në përdorim, e edhe mënyrat e kontrollit të shkarkimeve në ajër nga automjetet.
Kërkesat e listuara në këtë dokument nuk janë jetësuar deri tash.
“Dihet se ka lëshime të mëdha në qendrat e kontrolleve teknike, si në aspektin teknik ashtu edhe në atë të procesit të lirimit të gazrave ndotës”, thotë Tafë Veselaj. “Për t’u respektuar në tërësi udhëzimi administrativ për normat e lejuara të shkarkimeve në ajër nga burimet e lëvizshme, do të duhej të inkuadrohen të gjitha institucionet relevante, si Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Integrimit Evropian. Veçanërisht, Qeveria e Kosovës duhet të ndalojë importin e veturave pa limit dhe të të cilat nuk i plotësojnë euro standardet, Ministria e Infrastrukturës të obligojë qendrat e kontrollimit teknik të kryejnë kontrolle më rigoroze të veturave dhe të largojë nga qarkullimi ato vetura që lirojnë ndotës më shumë se që është e lejuar me aktet nënligjore tani në fuqi”.
Përgjatë pjesës së parë të vitit, gazeta ka vëzhguar disa procese të kontrollit teknik të realizuara nga njësi të licencuara në Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë e Fushë-Kosovë. Në asnjë prej tyre nuk janë bërë matje që lidhen me shkarkimet e ndotësve në ajër.
Ndërkaq, një vëzhgim i këtillë nuk është lejuar në qendrën e vetme të homologimit në Kosovë – Qendrën e Automjeteve të Kosovës. Për të, së fundmi është nxitur debat publik dhe është shtruar nevoja për liberalizim të tregut.
Në Ministrinë e Infrastrukturës kanë treguar arsyet pse gjatë kontrolleve teknike, deri tash, nuk është aplikuar edhe kontrolli i sistemit të djegies.
Nebih Shatri është drejtor i Departamentit të Automjeteve, që funksionon në kuadër të kësaj ministrie. Ai thotë se matja e gazrave është bërë kohë pas kohe, por se rezultatet e testit nuk kanë ndikuar në vendimin përfundimtar të rregullsisë.
Ministri Pal Lekaj në janar të këtij viti ka nxjerrë vendimin për fillimin e matjes së gazrave. Mirëpo, në Ministri kanë theksuar se, me kërkesë të ekspertëve, implementimi i vendimit është shtyrë për muajin qershor. Justifikimi i dhënë për këtë është se “dimri nuk është i përshtatshëm si stinë, që të fillohet me matjen e gazrave”.
“Ministria i ka njoftuar të gjitha qendrat e kontrollit teknik, që janë të obliguara të bëjnë përgatitjen e pajisjeve dhe stafit për fillimin e këtij shërbimi. Gjithashtu, Ministria do të ndihmojë në përgatitjen (trajnimit) të inxhinierëve të punësuar në kontrolle teknike për mënyrën e kontrollit të gazrave të liruara nga automjetet”, thotë Shatri. “Përmes një shkrese janë njoftuar të gjitha qendrat e kontrollit teknik për kushtet të cilat duhet t’i plotësojnë pajisjet të cilat përdoren për matjen e gazrave”.
Një kopje të shkresës e ka siguruar gazeta. Aty rikujtohen dispozitat e një udhëzimi administrativ, sipas të cilit pajisjet të cilat përdoren në matjen e shkarkimeve në ajër duhet të kenë mundësi që të bëjnë matjen e vlerave për këto grimca: CO; HC; HC+NOx; NOx; PM, si për automjetet me benzinë (Otto motor), ashtu edhe për ato me naftë (Diessel motor).
Pajisjet duhet të posedojnë certifikatë me të cilën garantohet se ato i plotësojnë kushtet siç përcaktohet me Direktivën 2014/32/EU për vendosjen e pajisjeve matëse në treg.
Letra përmban edhe një “këshillë profesionale”: Duke u mbështet nga praktikat e mëhershme – afera diesel gate – ku përmes softuerëve të ndryshëm është ndërhyrë në rezultate, është rekomanduar që, me qëllim që të evitohet një mundësi e tillë, me rastin e porositjes së pajisjeve të përpilohet kontrata e cila siguron palën se në rast të mospërmbushjes së kërkesave siç i kërkon Udhëzim Administrativ për normat e lejuara të shkarkimeve në ajër nga burimet e lëvizshme të ndotjes, të gjitha obligimet, duke e përfshirë edhe fitimin e humbur, duhet ta mbulojë ofertuesi.
Në Ministrinë e Infrastrukturës kanë thënë se veturat të cilat nuk i përmbushin standardet minimale duhet t’i nënshtrohen servisimit të pjesës e cila ndikon që të mos arrihen vlerat e kërkuara.
Nga qershori ka nisur vetëm testimi i procesit të kontrollit teknik të sistemit të gazrave.
F. M. është një nga drejtuesit e një qendre të kontrollit teknik në Gjakovë. Ai refuzon të flasë për procesin.
“S’mund të jap asnjë informacion”, thotë ai, edhe një muaj pasi i është dhënë start fazës së kontrollimit të sistemit të djegies së karburanteve.
Në Ministri nuk kanë treguar se si ka rezultuar ky proces, meqë qendrat e kontrollit teknik nuk kanë raportuar për vështirësi.
Në këtë institucion nuk kanë një pasqyrë që flet për gjendjen në të cilën janë automjetet, bazuar në kontrollet e bëra gjatë këtij muaji.
“Është herët të flitet për një pasqyrë të gjendjes”, ka thënë Nebih Shatri, i cili ka treguar se nuk do të ketë ndonjë penalizim për pronarët, automjetet e të cilëve nuk i përmbushin standardet. “Momentalisht vetëm bëhet matja, e cila nuk ka ndikim në rezultatin përfundimtar“.
Por, si do të identifikohen automjetet që përmbushin parametrat minimalë që kanë të bëjnë me emetimin e gazrave?
“Identifikimi si proces është duke paraqitur sfidë, pasi që nuk e kemi një bazë të të dhënave ku janë të ruajtura shënimet e të gjitha automjeteve në aspektin ambiental (cilit euro standard i takon). Ne jemi duke i analizuar disa mënyra si dhe jemi në konsultime me kolegët tanë të shteteve të rajonit me qëllim të njohjes së përvojës së tyre”, thotë drejtori Shatri. “Tani jemi duke i analizuar mënyrat të cilat nuk kanë kosto shtesë. Si variant i fundit mbetet që të bëhet blerja e bazës së shënimeve”.
Vdekjet si kosto
Përderisa gjendja është kësisoj, nuk janë të vogla pasojat shëndetësore nga helmi që vjellin veturat e vjetra.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është institucioni më i lartë shëndetësor, profesional dhe shkencor i Kosovës, i cili organizon, zhvillon, mbikëqyr dhe zbaton politikat e shëndetësisë publike në nivel vendi.
Doktoresha Antigona Ukëhaxhaj është specialiste e Shëndetit Publik dhe punon në këtë institut. Ajo flet për ndikimin e ndotjes së ajrit në shëndetin e popullatës.
“Efektet afatshkurta të aerondotjes nga partikulat, sipas shumë të dhënave, na çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmë bronkiale, bronkit kronik, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyra, rritje të numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtim të jetës dhe rritje të shkallës së mortalitetit”, thotë doktoresha Ukëhaxhaj. “Sa i përket asaj se cilët banorë janë të ekspozuar deri më tani, komunat me situatën më të përkeqësuar sipas matjeve të bëra nga Instituti Hidrometeorologjik kanë qenë: Prishtina, Obiliqi, Drenasi, Fushë-Kosova dhe Gjilani”.
Transporti rrugor është përgjegjës për diku 40 për qind të shkarkimit të dyoksidit të karbonit (CO2) në zonat urbane. Është prej kontribuuesve kryesorë në ngrohjen globale dhe me efekte negative në shëndet.
Dyoksidi i azotit (NO2) është gaz toksik, që po kështu, kryesisht lirohet nga djegia e karburanteve. Ai ka efekte të theksuara në mushkëri, por edhe në organet tjera si në mëlçi dhe shpretkë.
Grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2.5 janë përqendrime të masës së suspenduar në ajër dhe kanë përqendrimin më të madh posaçërisht në lokalitetet me trafik të dendur. Një numër i madh i studimeve tregojnë ndikime afatshkurta në sistemin kardiovaskular. Efekte afatgjata lidhen me sulmin në sistemin respirator dhe në zvogëlimin e imunitetit.
Smogu, një përbërje e tymit dhe mjegullës, është fenomen i ajrit të ndotur dhe paraqitet në qytetet e mëdha, gjatë vjeshtës dhe dimrit, ku dominojnë ndotës të mëdhenj në një hapësirë të vogël. Mungesa e erërave e shton edhe më shumë ndotjen. Smogu posaçërisht është i dëmshëm për të sëmurit nga astma, për t? moshuarit dhe fëmijët.
Doktoresha Ukëhaxhaj ka treguar se në periudhën e sezonit të dimrit është evident numri i shtuar i pacientëve në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar dhe në spitalet regjionale, si dhe shtimi i numrit të vizitave në qendrat e mjekësisë familjare nëpër komuna, me theks të veçantë në ato që kanë cilësinë e ajrit më të keqe.
Në këtë Institut, por as në Agjencinë e Statistikave të Kosovës nuk kanë të dhëna mbi vdekshmërinë si pasojë e aerondotjes. Po kështu, as autoritetet më të larta sikur Ministria e Mjedisit dhe ajo e Shëndetësisë akoma nuk e kanë një vlerësim të dëmit që u shkaktohet qytetarëve, me përjashtim të sëmundjeve që shfaqen nga ndotja e ajrit.
Por është një raport i Bankës Botërore që jep të dhëna drithëruese. Ai është bazuar mbi një hulumtim substancial shkencor që demonstron ndikimet në shëndetin publik nga ndotja e ajrit dhe në veçanti nga grimcat PM, të cilat janë në mesin e shkaktarëve të sëmundjeve respiratore dhe atyre kardiovaskulare. Dhe, shkalla e vdekjes nga ndotja prej ajri është shumë më e lartë se 120, sa është mesatarja e vdekjeve në vit që shkaktohen nga aksidentet rrugore.
“Në bazë të koeficienteve ekspozim/reagim, koncentrimet vjetore të PM në ajrin e ambientit, dhe të dhënat për popullsinë e ekspozuar, ndotja e ajrit në viset urbane në Kosovë llogaritet se shkakton 835 vdekje të parakohshme, 310 raste të reja të bronkitit kronik, 600 shtrirje në spital dhe 11,600 vizita në emergjencë”, thuhet në studim. “Këto raste të përllogaritura zakonisht janë më të larta sesa numri i pacientëve të regjistruar me sëmundje respiratore, pasi që nuk shkojnë të gjithë personat me simptoma respiratore te mjeku apo në spital”.
Kjo ka edhe një kosto të lartë ekonomike. Ajo shfaqet si rezultat i efekteve shëndetësore nga ndotja e ajrit dhe, sipas Bankës Botërore, në Kosovë ndryshon nga 37 në 158 milionë euro në vit.
Vizioni që mungon
Rinora Gojani përpiqet aktivisht t’i evitojë dëmet e kësaj natyre. Ajo pedalon, edhe për llogari të shëndetit të saj, por edhe për të mirën publike. Por, ka ankesa për shtigjet.
“Shtigje nuk ka. Është te ‘Rruga B’, por ai shpesh përdoret si parking për vetura”, ankohet Gojani. “Po ta tregoj edhe një paradoks: Motra që shkon me biçikletë në rrugën për Fushë- Kosovë shpesh has në policë që patrullojnë dhe që veturat i parkojnë në shteg. Pra, edhe institucionet nuk i kemi të vetëdijshme se ajo pjesë e rrugës është e destinuar për një kategori të veçantë të pjesëmarrësve në trafik, sikur janë çiklistët”.
Veprime të shëndetshme konsiderohen ecja dhe çiklizmi. Një kulturë e këtillë, bashkë me shtimin e transportit publik, konsiderohet se do ta reduktonte edhe qarkullimin e automjeteve në qendrat urbane.
Strategjia e cilësisë së ajrit referuar periudhës 2013-2022, parasheh edhe masat për zvogëlimin e ndotjes së ajrit nga transporti. Mes tyre, ka të tilla që ishte paraparë të ndërmerreshin me urgjencë. Ishte paraparë zhvillimi i një strategjie komunale të çiklizmit, që përfshinte vendosjen e linjave shtesë për biçikleta, krijimin e vendeve për parkim biçikletash, para ndërtesave publike, dhe inkurajimin e sektorit privat për ta zbatuar opsionin për të vendosur parkingje për biçikleta.
Prej gjashtë vitesh kur është hartuar ky dokument, veprimet e listuara në të nuk janë ndërmarrë.
Në Ministrinë e Infrastrukturës nuk kanë prezantuar një informatë përkitazi me gjatësinë e tërësishme të shtigjeve për biçikleta, që deri tash janë ndërtuar në nivel vendi.
Prishtina është bërë me plan mobiliteti, i cili parasheh edhe veprime që për qëllim kanë rritjen e atraktivitetit të ecjes dhe çiklizmit në mesin e përdoruesve. Skema e propozuar e çiklizmit përfshin lagjet Qendra, Tophane – duke u shtrirë drejt Kodrës së Trimave, Medresës, Pejtonit, Lakrishtes, Arbërisë, Kalabarisë, Dardanisë, Ulpianës, Bregut të Diellit, Aktashit, Muhaxherëve, Velanisë dhe zonës së QKUK-së.
“Një shteg i ri çiklizmi parashihet nga qendra e qytetit drejt parkut të Gërmisë nëpërmjet rrugëve ‘Haxhi Zeka’, ‘Nazim Gafurri’ dhe ‘Shpëtim Robaj’”, thuhet në plan. “Rrjeti gjithashtu shtrihet në drejtim të zonave Prishtina e Re dhe Hajvali, nëpërmjet shtigjeve që hyjnë në këto zona dhe çojnë në drejtim të vendbanimit të Zllatarit dhe liqenit të Badovcit”.
Sipas planit, disa shtigje çiklizmi në Prishtinë duhet përshtatur me qëllim që të përmbushin qëllimin e tyre të lëvizshmërisë së qëndrueshme, duke qenë të sigurta për përdoruesit, pasi që mënyra se si janë ndërtuar zvogëlon sigurinë e çiklistëve dhe këmbësorëve. Këto shtigje janë ato në rrugën “Arbënor dhe Astrit Dehari”, e njohur më parë si rruga “Çlirimi”, pastaj në rrugën “Bahri Fazliu” që njihet si “Rruga B”, si dhe në “Rrugën C”.
Habib Qorri, udhëheqës i Sektori për shërbime publike në Komunën e Prishtinës, thotë se për zvogëlimin e ndotjes, autoritetet lokale kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm që janë në kompetencë të tyre. Përpos që ka përmendur ardhjen dhe funksionalizimin e 51 autobusëve të rinj në shërbim të transportit publik, ka thënë se do të zhvillohen edhe për çiklizëm, bazuar në Planin e Mobilitetit.
“Jemi në bashkëpunim të plotë me BERZH-in, Bankën Botërore dhe JICA-Japoneze për zhvillimin e projektit ‘transporti i gjelbër’, kurse investimet do të bëhen varësisht nga kërkesat që dalin nga projekti, i cili është duke u punuar me analizat dhe studim me standard evropiane”, thotë Qorri. “Komuna …është e gatshme të bëjë investime”.
Në Gjakovë, ndërkaq, janë rreth 100 kilometra rrugë për automjete, ndërsa ka vetëm rreth 8 kilometra shtigje për biçikleta.
Lekë Sina, udhëheqës i Sektorit për komunikacion në këtë komunë, thotë të jetë paraparë në projekte që në disa rrugë të cilat do të ndërtohen, sikur ajo te unaza e qytetit, do të ketë edhe shtigje për biçikleta, krahas trotuareve.
Përpos që mungojnë investimet në shtigje biçikletash, mungojnë edhe politikat stimuluese për automjetet që qarkullojnë pa e ndotur mjedisin, sikur janë ato elektrike.
Tek sivjet një korporatë derivatesh për herë të parë në Kosovë ka instaluar mbushësin për vetura elektrike. Ai është vendosur në një pikë në Çagllavicë, pak kilometra larg kryeqendrës, dhe në vitin e parë mbushja do të jetë falas.
Autoritetet, ndërkaq, nuk e kanë bërë një gjë të tillë deri tash. Veturat elektrike i nënshtrohen taksave, e madje për to duhet paguar edhe taksën ekologjike prej 10 eurosh në vit, në momentin e regjistrimit.
Gjatë muajit shkurt, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i ka shkruar ministrit të Financave, Bedri Hamza, si dhe Komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, me kërkesën për lirim nga TVSH-ja për veturat elektrike të cilat importohen në Kosovë. Propozimi i bërë, sipas ministrit, është bërë në kuadër të angazhimit të Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë dhe Ministrisë që ai drejton, për zbatimin e politikave të efiçiencës së energjisë.
“Me zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë në transport përmes zëvendësimit të veturave nga ato tradicionale me karburante në vetura elektrike dhe duke pasur parasysh se një model i tillë i veturave mbushjen me energji elektrike e realizojnë kryesisht gjatë orëve të natës, periudhë kjo kur ka tepricë të energjisë elektrike dhe kur tarifat janë më të lira, do të ishte faktor i rëndësishëm edhe për konsumimin racional të energjisë elektrike”, thuhet në shkresë. “Në të njëjtën kohë, kjo masë do të ndikojë edhe në ruajtjen e mjedisit”.
Në anën tjetër, sistemi i lirimit të gazrave i veturave tradicionale, ende mbetet jashtë kontrollit, shkaku që certifikata për kalimin e kontrollit teknik nuk kushtëzohet me përmbushjen e standardeve që lidhen me normat e lejuara të shkarkimeve në ajër. Po kështu, Kosova do të mund të shihet ende si varrezë për veturat e vjetra, meqë autoritetet ende nuk e kanë zëvendësuar politikën e importit të automjeteve nga ajo aktualja e cila bazohet në vjetërsi, në atë të bazuar në “Euro standardet”.
Për pasojë, Mërgimi do të vazhdojë i papenguar ta ngasë veturën më të vjetër se vetë, ani se, sa herë shkel pedalen e gazit deri në fund, lë pas shtëllungë të madhe tymi. Ndërkaq, 135 mijë hyrjet e automjeteve që realizohen vetëm brenda ditës, kryeqendrës do t’ia garantojnë statusin e herëpashershëm të “kampionit të botës” për shkallën e ndotjes së ajrit.
(Projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN-i dhe AGK-ja)
Koha Ditore