Masa mjaft të nxehta ajrore me origjinë nga Afrika Veriore po mbizotërojnë në rajonin tonë për shumë ditë duke e bërë këtë verë mjaft të nxehtë, por asgjë ekstreme ngase kjo situatë sinoptike është krejtësisht normale duke pas para sysh se jemi në mes të verës. Valët e nxehtësisë nuk godasin njëjtë çdo verë dhe është e vërtetë se sivjet valët e nxehtësisë ishin më të fuqishme se herët e kaluara, por kjo nuk do të thotë se kjo situatë sinoptike nuk ka ndodhur kurr, përkundrazi ka ndodhur shpeshë.
Sidoqoftë, duket se ajrit të padurueshëm dhe të “sertë” afrikan po i vije fundi gradualisht të paktën përkohësisht. Këto ditë ende do të jemi nën ndikimin e masave mjaft të nxehta por me rënie graduale gjatë ditëve të ardhshme. Temperaturat shumë shpejt do të fillojnë të ulen tek fqinjët tanë verior, por frontet e ftohta nuk do të vijnë ende në territoret tona duke e bërë që i nxehti tek ne zgjasë edhe disa ditë. Psh. në Serbi ditëve të ardhshme priten ulje të ndjeshme të temperaturave, ndërsa në Kosovë jo dhe këtu do të jetë vija ndarëse mes të nxehtit afrikan dhe freskisë së Atlantikut për ndonjë ditë ose dy.
Dita e enjte do të jetë sipas të gjitha gjasave dita e cila do të shënojë uljen e temperatuave të cilat do të vijnë së bashku me rrebeshet e fuqishme lokale të shiut me vetëtima dhe bubullimë. Para ardhjes së rrebesheve, normalisht do të jetë shumë nxehtë dhe zagushi, ndërsa pas ardhjes së rrebesheve më në fund do të mund të frymojmë më lirshëm. Rrebeshe priten në Kosovë, Maqedoninë Veriore, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës.
Kësaj radhe sipas të gjitha gjasave rrebeshe lokale do të ketë edhe në pjesën më të madhe të Shqipërisë, por më shumë në veri të vendit e më pak në jug të vendit. Edhe për Shqipërinë do të ketë më në fund pak frymëmarje pas nxehtësisë së madhe afrikane. I nxehti ekstrem zhvendoset në Greqi dhe Turqi.
Pra, pas shumë ditëve me temperatura ekstremisht të larta më në fund kemi shpresë për freskim të motit të paktën të përkohshëm, ngase ende jemi në verë dhe mund të kemi valë të reja të nxehtësisë verore pas freskimit të na pret me 5 ose 6 dhe 7 Gusht./Meteoballkan