Për shkak të krijimit të ciklonit shumë të fuqishëm në juglindjen e Francës dhe veriun e Italisë dhe rënies së thellë të presionit atmosferik kemi këto erëra të fuqishme që po na përcjellin këto ditë. Në anën tjetër tek ne dhe në juglindje të Evropës kemi presionin e lartë atmosferik dhe ky dallim i madh në presion atmosferik si dhe dallimi në temperatura shkakton erëra të fuqishme. Rrugëtimi i masave ajrore të lagshta nuk favorizon reshje në vendin tonë, sepse reshjet më të fuqishme do të jenë që nga Mali i Zi e tutje e sidomos në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Slloveni. Reshje apo rrebeshe lokale shiu priten sonte edhe në Shqipëri por ndoshta edhe në disa rajone të Kosovës.
Nesër në tërë rajonin tonë pritet të mbajë mot me vranësira dhe intervale kohore me diell, gjithashtu do të kemi edhe erëra mesatare dhe ndonjëherë edhe të fuqishme nga jugperëndimi.
Të Martën në Shqipëri do të kemi rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë, ndërsa reshjet e shiut nuk përjashtohen edhe në Kosovë, ku përsëri do të kemi erëra nganjëherë të fuqishme. Në Maqedoni nuk priten reshje me ndonjë përjashtim të vogël.
Nga e Mërkura do të kemi stabilizim të motit dhe qetësim të erërave por temperaturat do të mbesin të larta për këtë periudhe kohore. Pra vazhdon thatësia në Kosovë dhe Maqedoni kurse zbutje të vogël të thatësisë mund të kemi në Shqipëri.
Reshje jashtëzakonisht të fuqishme priten në Bregdetin e Adriatikut verior si dhe erëra pothuajse apokaliptike./ Meteoballkan.