Shirat që po bijnë këto ditë do të pushojnë gjatë paradites së martës, por deri atëherë priten reshje shiu të cilat në shumë rajone do të jenë intensive dhe në formë të rrebesheve me vetëtima dhe bubullimë.
Këto shira janë jashtëzakonisht të mirëseardhura pas një vere jashtëzakonisht të gjatë dhe të thatë.
Cikloni nga Mesdheu po kontrollon sot motin në rajonin tonë duke sjellë vranësira të dendura dhe reshje shiu të cilat pritet të rifillojnë nga çasti në çast dhe pritet të fuqizohen orëve të pasdites dhe mbrëmjes.
Në Shqipëri priten stuhi lokale me vetëtima dhe bubullimë. Në Kosovë kryesisht shi, por mund ndodhë ndonjë vetëtimë dhe bubullimë në mbrëmje.
Fuqizimi anticiklonik
Nga e marta në viset tona do të fillojë të fuqizohet masa ajrore anticiklonike e cila po ashtu vjen nga Mesdheu dhe për këtë arsye do të kemi edhe disa ditë relativisht të ngrohta në këtë fund-vjeshtë.
Si pasojë vranësirat do të fillojnë të shpërndahen të martën dhe reshjet do të pushojnë. Priten intervale kohore me diell dhe vranësira të shpeshta lokale, por pa reshje atmosferike. Temperaturat do të jenë paksa më të ulëta pas frontit të ftohtë që largon ciklonin mesdhetar dhe rrit presionin atmosferik.
Por, temperaturat do të rikuperohen menjëherë sepse anticikloni nga Mesdheu do të stabilizojë atmosferën dhe do të mundësojë depërtimin e masave relativisht të ngrohta nga Mesdheu në drejtim të rajonit tonë gjatë javës. Netët dhe mëngjeset do të jenë relativisht të ftohta, me mundësi për mjegull dhe ngrica afatshkurtra në disa rajone, por asgjë që i ngjason dimrit.
Ditët do të jenë kryesisht me diell, me vranësira kalimtare e lokale, por pa reshje atmosferike. Kështu parashihet që nga e marta deri të shtunën. Temperaturat do të shënojnë rritje dhe maksimalet mund të shkojnë prapë mbi 15 gradë Celsius.
Më së ngrohti pritet të jetë të Premten dhe të Shtunën me temperatura maksimale që mund të afrohen te shifra 20.
Të shtunën do të kemi afrimin e një fronti të fuqishëm të ftohtë ajror nga veriperëndimi i cili mund të arrijë të dielën me reshje lokale shiu e bore dhe ulje të ndjeshme të temperaturave, por kjo mbetet të shihet nga evoluimi i gjendjes së përgjithshme sinoptike.
Pra, nga nesër deri të shtunën na pret mot kryesisht stabil, nën dominim të plotë anticiklonik priten shumë rreze diellore. Të dielen ka mundësi apo potencial për një front të fuqishëm të ftohtë ajror.
Ndryshime në parashikim nuk do të ketë deri në fundjavë, por fundjava është pak e ndërlikuar dhe mund të ndodhin ndryshime të cilat do ti tregojmë në postimet tona të përditshme gjatë javës në MeteoBallkan
















