Edhe pse nuk pritet të kemi mot dimëror gjatë kësaj jave atmosfera pritet të jetë dinamike me rrymime intensive ajrore nga perëndimi që vjen si pasojë e një Atlantiku jashtëzakonisht aktiv i cili trazon fuqishëm Mesdheun me masa ajrore ciklonike.
Masat e fuqishme ajrore ciklonike do të jenë të pozicionuara në atë mënyrë që në drejtim të rajonit tonë do të kushtëzojnë depërtimin e masave më të ngrohta ajrore me origjinë nga Afrika veriore. Dhe pikërisht një Atlantik shumë aktiv që nga Portugalia e Spanja dhe tutje në Mesdhe pengoi “Bishën e Lindjes” të depërtojë më thellë në Ballkan dhe në viset tona dhe si pasojë e ashtuquajtura “Bisha e Lindjes” mbeti thellë në lindje të Evropës, verilindje dhe Skandinavi.
Temperatura më të ulëta që erdhën krejt në fund të javës që shkoi dhe në fillim të kësaj jave depërtuan nga afrimi i kësaj mase të fuqishme të ftohtë ajrore (nga verilindja e Evropës) ku ajri i ftohtë më në fund gjeti një korridor për të ardhur edhe te ne, megjithatë krahasuar me atje kjo masë e ftohtë është krejt simbolike dhe do të largohet menjëherë gjatë ditës së martë me ardhjen e masave ajrore të reja, të ngrohta nga Mesdheu dhe Afrika veriore.
E hëna filloi e ftohtë, e vranët dhe me reshje lokale kryesisht të pakta bore. Reshjet janë në largim e sipër.
E Marta pritet të sjellë acar jo shumë të fortë në mëngjes, kurse gjatë ditës pritet largimi i masave të ftohta ajrore. Do të fillojnë të fryjnë erëra nga jugu, juglindja dhe jugperëndimi dhe po ashtu priten vranësira lokale, por pa reshje atmosferike. Temperaturat do të rritën menjëherë në Kosovë deri në 8, 9, apo edhe 10 gradë Celsius maksimalet. Në Shqipëri deri në 15 gradë Celsius.
Cikloni nga Mesdheu do të afrohet gjatë ditës së mërkurë dhe në mbrëmje do të ketë reshje dhe rrebeshe lokale shiu, më intensive dhe më të përhapura në Shqipëri, por lokalisht edhe në Kosovë dhe Maqedoninë Veriore. Reshje bore vetëm në malet e larta.
Ndikimi ciklonik do të vazhdojë edhe ditën e enjten me vranësira, intervale të shkurtra kohore me diell dhe reshje lokale shiu vende-vende në formë të rrebesheve. Më shumë reshje priten në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore.
Të Premten një tjetër vorbullë ciklonike vjen nga Deti Adriatik duke kushtëzuar reshje të reja lokale shiu dhe rrebeshe lokale shiu vende-vende me vetëtima dhe bubullimë. Temperaturat do të vazhdojnë të jenë paksa të larta për këtë periudhë kohore sepse masat ajrore do të vinë vazhdimisht nga Mesdheu dhe Afrika veriore.
Fundjava vjen me vranësira e intervale kohore me diell dhe me reshje lokale.
E Shtuna e ngrohtë dhe me rrymime të fuqishme ajrore nga jugu.
Dita e diel dikur pasdite dhe në mbrëmje ka gjasa që të ketë një depërtim tjetër të ajrit të ftohtë polar nga veriu, kësaj radhe pak më serioz dhe me reshje bore paksa më intensive, por pasi që e diela është larg dhe ndryshime mund të ketë kjo nuk mund të konfirmohet nga tani dhe mbetet vetëm si një sinjal dhe opsion i mundshëm.
Pra, para nesh një javë mjaft aktive dhe me reshje të shpeshta lokale kryesisht shiu, me erëra jugore, por edhe me periudha pa reshje dhe me periudha me intervale kohore me diell, megjithatë vranësirat do të jenë më dominuese. Reshjet e shiut do të jenë të shpeshta, por sipas ecurive aktuale jo shumë intensive. Gjithsesi në disa zona në Shqipëri mund të ketë vërshime, ndërsa për Kosovë për momentin nuk priten, megjithatë parashikimet mund të ndryshojnë.
Temperaturat në Kosovë do të rriten dhe ato maksimale pothuajse çdo ditë do të jenë pak mbi 10 gradë Celsius dhe ndonjë ditë do të arrijnë deri 15 gradë Celsius, kurse në Shqipëri nga 15 deri në 20 gradë Celsius.
E diela vonë mund na sjellë një episod dimri dhe reshjesh bore, por kjo nga tani nuk mund të themi se është e sigurtë.
Pasi që kjo javë do të jetë mjaft dinamike ndryshime në parashikim pritet të ketë dhe ky parashikim nuk mund të jetë përfundimtar. Për çdo ndryshim eventual do të njoftoheni me kohë në postimet tona të përditshme vonë në mbrëmje dhe në mëngjes./MeteoBallkan
















