“Monotonisë meteorologjike” gradualisht po i vie fundi dhe këtë mesjavë pritet një front i ftohtë ajror nga veriu i cili do të shkaktojë destabilizim të motit, por nuk pritet asgjë e jashtëzakonshme. Do të kemi një front tipik vjeshtor me reshje të herëpashershme shiu veçanërisht nga e enjta.
Dy ditët e para të javes do të vazhdojnë të jenë të nxehta dhe stabile ndërsa ardhja e frontit pritet të merkurën kur priten ulje të temperaturave dhe vranësira. Ky front do të shkaktojë krijimin e një cikloni në Detin Adriatik i cili do të kushtëzojë reshje shiu në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut të enjten. Gjithashtu do të ketë ulje të temperaturave. Në viset malore do të paraqiten edhe reshjet e para të dëbores.
Nga dita e premte reshjet do të ndërpriten përkohësisht dhe temperaturat do të shënojnë ngritje përsëri si pasojë e erërave jugore.
Reshjet lokale mund të rikthehen përsëri gjatë fundjaves.
Pra, për fund të themi se nuk pritet ndonjë goditje dimërore në këtë fillim Nëntori ashtu siç po flasin disa, por kemi të bëjmë me kushte tipike vjeshtore dhe se pas uljes afatshkurtër të temperaturave pritet të ketë ngritje të sërishme të tyre, por lajmi i mirë është se do të ketë reshje pak më të shpeshta atmosferike./Meteoballkan