Cikloni i fuqishëm i cili do të vije tek ne në mesjavë është kryefjala e zhvillimeve sinoptike për këtë javë. Ky ciklon do të na sjellë reshje atmosferike, shiu dhe bore, erëra mjaft të fuqishme dhe ulje të theksuara të temperaturave. Në viset kodrinore malore do të ketë reshje të dendura bore nga të cilat do të krijohen edhe orteqe.
Sot do të kemi mot pranveror, gjatë ditës pritet të kemi fuqizim gradual të erërave në disa rajone dhe do të ketë edhe shtim të vranësirave lokale. Temperaturat do të mbesin pranverore.
Nesër pritet të kemi mot me shtim të vranësirave dhe fuqizim të erërave, por do të mbetet ngrohtë. Vonë pasdite ose në mbrëmje do të fillojnë reshjet e shiut, kurse në mbrëmje vonë reshjet e shiut do të shndërrohen në reshje të dendura bore veçanërisht në viset kodrinore-malore, por në intervale të caktuara edhe nëpër ultësira. Priten edhe rrebeshe të fuqishme lokale me vetëtima dhe bubullimë. Gjatë kalimit të frontit do të ketë erëra mjaft të fuqishme veriore dhe veriperëndimore.
Të mërkurën na pret mot i ftohtë me reshje bore dhe erëra të fuqishme veriore dhe veriperëndimore. Në viset kodrinore-malore pritet “meqavë” e vërtetë dimërore dhe mund të krijohen orteqe bore. Reshje bore priten edhe nëpër ultësira, por në disa ultësira (kryesisht në Dukagjin) reshjet e borës do të jenë të pakta apo simbolike. Reshjet e dëbores mund të paraqiten shkurtimisht edhe në shumë rajone në Shqipëri ku reshjet e borës janë dukuri shumë e rrallë. Këto fjolla dëbore eventuale do të vijnë nga erërat e fuqishme të sistemit frontal. Nga ky ciklon reshje të dendura bore priten edhe në Maqedoninë Veriore dhe veri të Malit të Zi. Trashësia e borës në shumë pjesë kodrinore-malore të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të arrijë në gjysmë metër, lokalisht edhe më shumë.
Nga e enjta dhe e premta reshjet do të pushojnë si pasojë e depërtimit të masave ajrore anticiklonike dhe pritet stabilizim gradual i motit, megjithatë do të mbetet mjaft ftohtë dhe me acar gjatë mëngjesit.
Për fundjavë fusha ajrore anticiklonike do të shtrihen tërësisht mbi rajonin tonë duke kushtëzuar stabilizim të mëtutjeshëm të motit dhe ngritje të temperaturave./Meteoballkan