Fundi i Shkurtit 2024 do të jetë edhe më i ngrohtë në territoret tona, me temperaturat të cilat në Kosovë do ti afrohen 20 gradë Celsius, kurse në Shqipëri dukshëm mbi 20 gradë Celsius dhe kjo për shkak të rrymimeve konstante ajrore nga Afrika Veriore dhe Mesdheu.
Këtë situatë sinoptike këtë javë e kushtëzojnë kombinimet e masave apo “paternave” ajror, më i rëndësishmi është cikloni në Mesdheun perëndimor i cili aktivizon ajrin e ngrohtë në Shkretëtirat e Afrikes veriore dhe e dërgon direkt në viset tona përmes korridoreve ajrore të shtresave të larta atmosferike. Së bashku me masat ajrore në drejtim të territoreve tona pritet të arrijë edhe sasi e konsiderueshme e pluhurit nga Shkretëtirat e Saharasë.
Tri ditët e para të javës do të karakterizohen me mot të thatë dhe mjaft të ngrohtë për këtë periudhë kohore. Përpos vranësirave do të ketë edhe intervale kohore me diell. Temperaturat deri afër 20 gradë Celsius në Kosovë, ndërsa në Shqipëri mbi 20 gradë Celsius. Të enjten vranësirat do të dendësohen në tërë rajonin duke sjellur edhe reshje e rrebeshe shiu.
Fillimi i Marsit
Cikloni Mesdhetar do të forcohet dukshëm në brigjet e Italisë përtej jugut të Italisë dhe do të sjellë stuhi të fuqishme shiu në Itali, kurse do të avancojë drejt Afrikes veriore, por me sistemet e tij të reshjeve edhe drejt Ballkanit. Të enjten dhe të Premten reshje e rrebeshe më intensive lokale shiu priten në Shqipëri dhe Mal të Zi, por reshjet do të depërtojnë edhe në Kosovë, Maqedoninë Veriore dhe Luginë të Preshevës, ndonëse në sasi më të pakta se në Shqipëri, megjithatë pritet reshje paksa më solide. Vende- vende do të ketë rrebeshe intensive shiu me vetëtima dhe bubullimë sidomos në disa zona të Shqipërisë.
Temperaturat do të vazhdojnë të jenë të larta përkundër vranësirave dhe reshjeve, ngase rrymimet ajrore nuk do të ndryshojnë dhe do të jenë konstante nga jugu dhe juglindja. Normalisht (të enjten dhe të premten) do të ndjehet më ftohtë për shkak të erërave, reshjeve dhe vranësirave.
Për fundjavë na pret po ashtu mot i ngrohtë për këtë periudhë kohore, me vranësira, intervale kohore me diell dhe aty-këtu edhe reshje e rrebeshe afatshkurtra shiu. Temperaturat pa ndonjë ndryshim që vlen të përmendet./MeteoBallkan