Java që po hymë do të karakterizohet me mot mjaft të ndryshueshëm, me reshje të shpeshta atmosferike, erëra jugore, por nuk do të mungojnë edhe intervalet e gjata kohore me diell. Në përgjithësi do të jemi nën ndikimin e masave të nxehta ajrore dhe fushave ajrore mjaft jostabile me presion të ulët atmosferik (ciklone) me origjinë nga Atlantiku të cilat do të jenë “përgjegjëse” për reshjet e shumta të shiut (në perëndim dhe veri) dhe erërat e fuqishme jugore.
Siç e përshkruam edhe më herët e hëna do të karakterizohet me reshje shiu sidomos në pjesën e parë të dites. Në Shqipëri priten rrebeshe intensive shiu, vende-vende me vetëtima dhe bubullimë.
Të martëm në tërë rajonin do të kemi mot me intervale të gjata kohore me diell dhe vranësira. Do të jetë nxehtë dhe me erëra jugore. Reshje shiu priten në Mal të Zi dhe ekstremin verior të Shqipërisë.
Të mërkurën do të kemi depërtimin gradual të një cikloni tjetër i cili do të sjellë reshje intensive shiu veçanërisht në Mal të Zi dhe gjysmën veriore të Shqipërisë, por reshje shiu priten edhe në Kosovë, intensive në Dukagjin e deri në veri të vendit dhe më pak në lindje të vendit.
Nga e enjta në tërë rajonin do të vazhdojnë reshjet e herëpashershme të shiut të cilat do të përfshijnë edhe territoret që po vuajnë nga thatësia dhe këto reshje do të jenë jashtëzakonisht të mirëseardhura.
Në përgjithësi këtë javë do të kemi reshje shiu në tërë rajonin, por shumë më shumë në perëndim të rajonit dhe më pak në lindje, megjithatë reshjet do të ndikojnë sadopak në zbutjen e thatësisë eksteme.
Temperaturat do të fillojnë të pësojnë ulje nga gjysma e dytë e javes, por prapëseprapë nuk pritet ndonjë i ftohtë që vlen të përmendet./Meteoballkan
Image by: Pivotalweather