Edhe një javë me mot mjaft të ndryshueshëm para nesh. Në aspektin termik vazhdojnë temperaturat e larta në shumë ditë, por do të kemi ulje të ndjeshme në disa prej ditëve të javës me theks të veçantë dita e mërkurë dhe fundjava.
Dy ditët e para të javës do të jenë me shumë intervale kohore me diell dhe majft të ngrohta për këtë periudhë kohore, me temperatura deri në 20 gradë Celsius dhe në shumë rajone edhe dukshëm mbi 20 gradë Celsius, ndërkohë që erërat jugore, juglindore e sidomos ato jugperëndimore mbesin gjithnjë aktive.
E Mërkura sjellë reshje të dendura shiu në Kosovë.
Vetëm ditën e mërkurë do të kemi ndryshim në drejtimin e erërave dhe do të fryjnë nga veriu dhe verilindja. Dita e mërkurë do të jetë plotësisht e vranët, relativisht e ftohtë dhe me reshje shiu. Reshjet e shiut do të jenë mjaft intensive në intervale të caktuara kohore. Në Shqipëri përsëri priten rrebeshe intensive shiu me vetëtima dhe bubullimë. Kësaj radhe reshje të dendura shiu priten edhe në territorin e Republikës së Kosovës.
Pra, dita e mërkurë do të karakterizohet nga një front mjaft i fuqishëm i ftohtë ajror dhe shumë i pasur me lagështi. Reshje bore vetëm në viset e larta malore.
Nga e Enjta moti “kthehet në normalitet”. Erërat do të fillojnë të fryjnë nga jugu dhe jugperëndimi. Temperaturat rriten përsëri, por trysnia e cikloneve nga Atlantiku do të jetë prezente dhe për këtë arsye të premten priten reshje sporadike shiu fillimisht në Mal të Zi dhe veri të Shqipërisë, ndërsa të shtunën reshje të reja shiu dhe ulje e temperaturave priten në gati tërë rajonin tonë. Në viset malore do të ketë reshje bore.
Krejt në fund të javës dhe fillim të javës së re kemi dy opsione të mundshme: e para që e parashesh modeli amerikan GFS, parashihet përmirësim gradual i motit, ndërsa opsioni dy është sipas modelit Evropian ECMWF që parasheh mundësinë e një ciklogjeneze mjaft të fuqishme në Detin Adriatik dhe Jon e deri në Greqi ku si pasojë do të ketë reshje të dendura shiu dhe bore në viset kodrinore-malore. Sipas variantit dy reshjet bore mund të ketë edhe në disa ultësira të Republikës së Kosovë, por kjo është shumë larg të qenit një parashikim i sigurtë, ngase periudha kohore është e larta dhe dallimet në modelet kompjuterike janë fundamentale, prandaj këto opsione për fillimin e javës së re duhet të merren me rezervë deri në sqarimet e ardhshme të modeleve.
Pra një javë me diell, por edhe me shi më intensiv. Ju urojmë një javë të suksesshme./MeteoBallkan