Nesër në Kosovë pritet të mbajë mot mjaft i nxehtë, por nga veriu do të fillojë të depërtojë gradualisht një masë më e freskët ajrore. Priten intervale kohore me diell dhe vranësira. Vende-vende edhe rrebeshe shiu me vetëtima dhe bubullimë. Sipas modeleve rrebeshet do të përqëndrohen më shumë në veriperëndim, pjesë të qendrës, veri dhe verilindje të vendit, ndërsa në viset tjera kryesisht pa reshje ose me ndonjë zhvillim sporadik. Në jug kryesisht me diell dhe nxehtë.
Në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore nesër pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira kalimtare. Do të vazhdojë vapa afrikane, por me tendencë të freskimit sadopak të motit në Shqipëri. Në veri të vendit mund të ketë edhe rrebeshe sporadike.
Të premtën na pret mot i ndryshueshëm, me intervale kohore me diell dhe vranësira të cilat pritet të kushtëzojnë rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Rrebeshe intensive mund të ketë në rajonin e Dukagjinit, lokalisht edhe në ndonjë rajon tjetër. Edhe në veri të Shqipërisë priten rrebeshe lokale, vende-vende deri në pjesët qendrore të vendit.
Rrebeshe të izoluara të premtën priten edhe në Maqedoninë Veriore dhe Luginë, por reshjet nuk do të jenë gjithëpërfshirëse. Temperaturat shënojnë ulje graduale.
Për fundjavë na pret mot më i freskët (krahasuar me këto ditë) sidomos të shtunën, me altenrime mes vranësirave dhe intervaleve kohore me diell, ndërsa të dielën temperaturat përsëri shënojnë rritje deri 30 gradë Celsius./Meteoballkan