Nesër në Kosovë do të mbajë mot pranveror, me intervale kohore me diell, vranësira dhe mundësi për ndonjë rigë të dobët dhe afatshkurtër shiu në ndonjë rajon.
Edhe në Shqipëri dhe tërë rajonin nesër do të mbajë mot i ngrohtë, me intervale të gjata kohore me diell, vranësira dhe ndonjë rigë e dobët dhe afatshkurtër shiu është e mundshme në ndonjë rajon.
Pasnesër do të vazhdojë të jetë ngrohtë por do të kemi fuqizim të erërave jugore dhe shtim të konsiderueshëm të vranësirave pasdite vonë kur pritet të fillojnë edhe reshjet e shiut. Në mbrëmje priten reshje intensive shiu, vende-vende rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë, erëra të fuqishme, ndërsa me uljen e temperaturave dhe fillimin e erërave veriore priten reshje të dendura bore. Në viset kodrinore-malore pritet “meqavë”e vërtetë dimërore me reshje të dendura bore dhe erëra të fuqishme veriore. Reshje bore do të ketë edhe nëpër ultësira të Republikës së Kosovës, vende-vende intensive. Reshje të dendura bore priten edhe në viset kodrinore malore të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por reshje bore mund të ketë edhe nëpër disa ultësira në veri, lindje, juglindje, disa pjesë të qendrës së Shqipërisë, duke mos përjashtuar mundësinë që reshje afatshkurtra bore të paraqiten edhe në disa rajone ku reshjet e borës janë dukuri e rrallë. Gjatë orëve të natës dhe mëngjesit pritet që intensiteti i reshjeve të bije gradualisht.
Të mërkurën në Kosovë do të mbajë mot tërësisht i vranët dhe me reshje të herëpashershme bore. Do të kemi erëra të fuqishme dhe të ftohta veriore dhe veriperëndimore. Shtresa bore do të formohen edhe në disa ultësira të Kosovës, kurse nëpër viset kodrinore malore trashësia e borës do të rritet.
Gjatë ditës së mërkurë reshje të herëpashershme bore do të ketë edhe në shumë pjesë të Maqedonisë së Veriut dhe lindje të Shqipërisë. Reshjet do të ndërpriten tërësisht natën mes së mërkurës dhe së enjtes./Meteoballkan