Nesër në Kosovë do të mbajë mot me intervale të gjata kohore me diell dhe me vranësira të herëpashershme. Do të jetë më nxehtë se sot, por do të ketë erëra mesatare, nganjëherë të fuqishme nga jugu dhe jugperëndimi. Në rajonet afët kufirit me Malin e Zi mund të ketë ndonjë rigë shiu.
Në Shqipëri nesër pritet të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira. Në ekstremin verior, veriperëndimor dhe jugor do të ketë reshje të herëpashershme shiu.
Në Maqedoninë e Veriut nesër më nxehtë dhe me intervale të gjata kohore me diell, kurse në Mal të Zi me rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Pasnesër në Kosovë pritet shtim i vranësirave dhe gjithashtu priten edhe reshje shiu. Mund të ketë edhe rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë. Reshjet do të fillojnë në perëndim dhe veri të vendit, për tu zgjeruar gradualisht në drejtim të jugut dhe lindjes deri në fund të dites.
Në Shqipëri pasnesër përsëri priten reshje dhe rrebeshe intensive shiu veçanërisht në gjysmën veriore të vendit por edhe në shumë rajone tjera. Më së paku reshje priten në juglindje të vendit. Reshje intensive dhe rrebeshe të fuqishme priten vazhdimisht në Mal të Zi , ndërsa në Maqedoni reshjet mund të fillojnë të mërkurën dhe të vazhdojnë të enjten.
Të enjten në tërë rajonin pritet mot i vranët me reshje të herëpashershme shiu, vende-vende priten reshje intensive./Meteoballkan