Nesër në Kosovë do të mbajë mot i këndshëm, më i nxehtë, me intervale të gjata kohore me diell dhe vranësira kalimtare. Pasdite në ndonjë rajon mund të ketë ndonjë rigë apo rrebesh të izoluar shiu.
Edhe në Shqipëri nesër do të mbajë mot me intervale të gjata kohore me diell dhe vranësira kalimtare. Do të jetë më nxehtë. Pasdite vonë dhe në mbrëmje në veri dhe veriperëndim të vendit mund të ketë shtim të vranësirave dhe ndonjë rigë apo rrebesh shiu.
Në Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi nesër do të mbajë mot me intervale të gjata kohore me diell dhe vranësira kalimtare. Pasdite vonë apo në mbrëmje në Mal të Zi pritet të shtohen vranësirat të cilat do të sjellin edhe reshje lokale shiu.
Të enjtën në Kosovë pritet të mbajë mot i ndryshueshëm, me intervale kohore me diell dhe vranësira të cilat herë pas here do të sjellin edhe riga dhe rrebeshe lokale shiu me mundësi edhe për vetëtima dhe bubullimë.
Natën mes së mërkurës dhe të enjtës në veriperëndim, veri dhe pjesë të qendrës së Shqipërisë do të ketë rrebeshe të herëpashershme shiu me vetëtima dhe bubullimë të cilat do të vazhdojnë me intervale edhe gjatë dites së enjte duke u zgjeruar edhe në disa pjesë tjera të Shqipërisë.
Edhe në Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi të enjtën përpos intervaleve kohore me diell, herë pas here priten edhe reshje apo rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Nga e premta në tërë rajonin pritet stabilizim i motit dhe ngritje graduale të temperaturave.