Nesër në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje lokale shiu. Do të ketë ulje të temperaturave si pasojë e erërave veriore dhe vranësirva. Në disa rajone mund të ketë edhe rrebeshe shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Në Shqipëri nesër do të mbajë mot mjaft jostabil dhe i vranët, me intervale të shkurta diellore. Pasdite në shumë rajone priten rrebeshe shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Mot jashtëzakonisht jostabil do të mbajë nesër në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, ku gjatë ditës priten zhvillime të fuqishme të vranësirave konvektive apo vertikale të cilat do të sjellin rrebeshe të fuqishme lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Ka mundësi që të ketë edhe breshër.
Pasnesër në Kosovë priten ngritje graduale e temperaturave. Gjatë ditës do të ketë intervale të gjata kohore me diell, kurse pasdite vonë dhe në mbrëmje priten zhvillime lokale të vranësirave të cilat do të sjellin rrebeshe të izoluara shiu të cilat në shumë rajone të Kosovës do të vazhdojnë edhe gjatë natës dhe të dielën kur priten edhe rrebeshe të fuqishme lokale me vetëtima dhe bubullimë. Rrebeshet e fuqishme do të zhvillohen kohë pas kohe, pra jo pa ndërprerje dhe normalisht do të jenë lokale.
Edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi në fundjavë (posaqërisht të dielën, sepse të shtunën mund të ketë intervale kohore me mot të mirë) pritet të vazhdojë dhe të fuqizohet moti mjaft jostabil dhe me zhvillime të herëpashershme të vranësirave të cilat lokalisht do të sjellin rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë./Meteoballkan