Pasi që jemi të rrethuar nga masat mjaft të paqëndrueshme ajrore është tepër e vështirë me e ditë saktë kohën dhe vendit e të reshurave eventuale atmosferike, megjithatë ne po japim parashikimin në bazë të modeleve globale kompjuterike për parashikim të motit. Në përgjithësi gjatë ditës së parë të Fitër Bajramit do të vazhdojë trendi mjaft jo stabil dhe i paqëndrueshëm i kushteve të motit. Vetëm të shpresojmë që mëngjesin e nesërm të kemi pauzë nga reshjet atmosferike dhe gjasat janë që kjo të ndodhë.
Sonte në mbrëmje pritet që reshjet të pushojnë në shumicën e territoreve të vendeve tona me përjashtim të disa rajone në Shqipëri dhe Mal të Zi ku reshjet do të vazhdojnë sporadikisht edhe gjatë natës. Në Kosovë mëngjesin e nesërm pritet të mbajë mot kryesisht i vranët por mund të ketë edhe intervale kohore me diell. Në mëngjes nuk priten reshje atmosferike (për këtë nuk mund të garantojmë 100 për qind!), normalisht me ndonjë përjashtim. Gjatë ditës dhe pasdite priten zhvillime vranësirash të cilat do të kushtëzojnë rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Vende-vende përsëri mund të ketë edhe breshër.
Edhe në Maqedoninë e Veriut në mëngjes pritet mos të ketë reshje atmosferike edhe pse do të ketë vranësira por edhe intervale kohore me diell. Gjatë ditës pritet zhvillim lokal vranësirash të cilat do të sjellin rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Edhe ditën e dytë të Fitër Bajramit do të kemi mot mjaft jo stabil gjatë ditës dhe me zhvillime të vranësirave të cilat do të na sjellin rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë, ndërsa të enjtën mbi rajonin tonë pritet që më në fund të depërtojë një masë ajrore anitciklonike e cila do të largojë reshjet tërësisht nga Shqipëria dhe pjesa më e madhe e Maqedonisë së Veriut dhe pjesërisht edhe nga Kosova. Pritet edhe ngritje e temperaturave./Meteoballkan