Sot në Kosovë pritet të mbajë mot shumë jo-stabil, me intervale kohore me diell dhe dendësim masiv të vranësirave të cilat pritet të zhvillohen fuqishëm dhe të kushtëzojnë rrebeshe lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër. Vende-vende mund të ketë rrebeshe shumë intensive dhe shira të rrëmbyeshëm dhe mund të shkaktohen probleme afatshkurtra. Temperaturat do të shënojnë ulje të ndjeshme dhe kjo shënon fundin e valës së mundimshme të nxehtësisë.
Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi pritet të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe pastaj destabilizim të fuqishëm të atmosferës me rrebeshe lokalisht intensive shiu me vetëtima, bubullimë dhe breshër, erëra të fuqishme, shkarkesa të forta elektrike dhe në ndonjë zonë mund të ketë vërshime të shpejta.
Temperaturat do të shënojnë ulje në tërë rajonin, kurse reshjet nuk do të jenë të baraspeshuara edhe pse priten reshje intensive shumë më të përhapura.
Nganesër (e Enjte) do të kemi mot dukshëm më të freskët dhe më të këndshëm, sepse vapa dhe zagushia ikën përkohësisht. Ende parashihen vranësira e reshje lokale pot kryesisht të pakta.