Sot në Kosovë pritet të mbajë mot pak më i ngrohtë, me alternime mes intervaleve të gjata kohore me diell dhe vranësira kalimtare. Ende nganjëherë do të ketë erëra të freskëta nga veriu.
Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi pritet të mbajë mot me intervale të gjata kohore me diell dhe vranësira lokale. Reshje atmosferike nuk priten. Mot i ngjashëm pritet edhe në Luginën e Preshevës.
Të shtunën në tërë rajonin na pret mot më i nxehtë dhe me më shumë rreze diellore. Temperaturat pritet të shënojnë rritje, por nuk pritet nxehtësi e madhe. Në Mal të Zi priten reshje lokale shiu ose rrebeshe shiu me vetëtima dhe bubullimë. Ndonjë rigë ose rrebesh afatshkurtër mund të përfshijë edhe ndonjë rajon në Kosovë afër kufirit me Malin e Zi.
Të dielën na pret mot i ndryshueshëm në Kosovë dhe me zagushi. Pritet të jetë nxehtë, por pasdite priten zhvillime të vranësirave konvektive ose vertikale të cilat pritet të kushtëzojnë rrebeshe lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër. Vende-vende priten rrebeshe intensive të koncentruara më së shumti në viset kodrinore-malore. Lokalisht edhe në vise tjera. Në jug të Kosovës kryesisht pa reshje. Mot i paqëndrueshëm të dielën pasdite pritet edhe në Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe disa vise në Maqedoni.
Në Shqipëri të dielën pritet mot kryesisht me diell dhe i nxehtë.
Të hënën në tërë rajonin na pret mot mjaft-jostabil. Pritet zagushi, por edhe zhvillime të fuqishme të vranësirave të cilat pritet të kushtëzojnë rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër dhe erëra të forta gjatë shtrnëgatës. Rrebeshe të izoluara afatshkurtra me vetëtima dhe bubullimë priten edhe në bregdetin shqiptar./Meteoballkan