Rajoni ynë gjendet nën ndikimin e masave ajrore ciklonike në lindje dhe juglindje dhe anticiklonike në perëndim dhe veriperëndim të Kontinentit.
Për këtë arsye kemi erëra veriore dhe veriperëndimore, ndërsa në Kosovë kemi edhe vranësira të cilat herë pas here sjellin reshje bore në viset malore.
Gjithashtu kemi depërtimin e vazhdueshëm por gradual të masave ajrore të ftohta.
Gjatë ditës së nesërme nuk pritet ndonjë ndryshim i motit, por do të jetë pak më ftohtë, kurse nga e shtuna do të kemi depërtimin e një mase ajrore të fuqishme të ftohtë ajrore nga Rusia apo Siberia. Priten edhe reshje bore (Kosovë), të dobëta në viset e ulëta dhe më të forta në viset kodrinore-malore. Erërat veriore do të fuqizohen dhe pritet ulje e theksuar e temperaturave.
Do të jetë kjo goditja e parë serioze dimërore për këtë sezonë e cila në Kosovë do të sjellë kushte të vërteta dimërore dhe furtunë me borë veçanërisht në viset kodrinore-malore. Gjatë ditës së diel temperaturat do të jenë nën 0 gradë Celsius në tërë territorin e Republikës së Kosovës gjatë tërë ditës.
Reshje shumë më të pakta ose hiç fare nuk do të ketë në Shqipëri (me përjashtim të disa viseve malore ku priten reshje bore) dhe jugun e Malit të Zi.
Pra viset kodrinore-malore ditëve të ardhshme i pret dimër i vërtetë me furtuna dimërore por edhe me reshje bore sidomos në Kosovë./Meteoballkan