Sot pasdite në disa rajone në Kosovë priten rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë të cilat vende-vende do të vazhdojnë edhe gjatë natës, ndërkaq nesër pritet destabilizim i fuqishëm i atmosferës mbi Kosovë.
Rrebeshet në disa rajone do të fillojnë qysh paradite, ndërsa do të intensifikohen oret e pasdites dhe në mbrëmje. Reshje shiu priten edhe gjatë natës në të hënën.
Vende-vende ka mundësi që të ketë edhe breshër dhe erëra afatshkurtëra të fuqishme. Duke pasur parasysh se sistemet e stuhive do të lëvizin ngadalë atëherë pritet që në disa rajone të ketë rrebeshe mjaft të fuqishme dhe më afatgjata se zakonisht, prandaj nuk përjashtohet mundësia edhe e vërshimeve. Ndonjë rajon mund të shpëtojë nga shtrëngatat eventuale, megjithatë pas shtrëngatave priten reshje shiu, prandaj reshje do të ketë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut pritet që nesër të përfshihen nga rrebeshe lokale shiu të cilat vende-vende do të jenë të fuqishme dhe do të përcillën me vetëtima dhe bubullimë./Meteoballkan