Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka arritur në Liqenin e Batllavës për t’iu bashkuar operacionit të kërkim-shpëtimit, pasi një person dyshohet se është zhdukur në ujërat e liqenit. Në vendngjarje tashmë janë të angazhuara edhe njësitë e Policisë së Kosovës dhe ekipet e kërkim-shpëtimit
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar se rasti është raportuar rreth orës 13:00, ndërsa operacioni i kërkimit dhe shpëtimit vazhdon, raporton EO.
“Rreth orës 13:00, Policia ka pranuar informatën se një person dyshohet se ka hyrë në ujë në Liqenin e Batllavës dhe më pas nuk është parë të dalë. Menjëherë pas pranimit të informatës, janë angazhuar të gjitha njësitë relevante policore, si dhe njësitë e tjera të kërkim-shpëtimit, me qëllim të lokalizimit të personit. Aktualisht, operacioni i kërkimit dhe shpëtimit është duke vazhduar”, tha Pllana në një përgjigje me shkrim.














