Gjatë kësaj jave parashihet të kemi mot të thatë për shkak të dominimit të plotë të anticiklonit të fuqishëm evropian. Temperaturat më në fund do të lëvizin ashtu siç e kanë kohën, pra pritet rritje e temperatirave në të dyja vlerat ekstremale.
Një masë e fortë e ftohtë ajrore nga Siberia tani e disa ditë është stacionuar rreth Detit të Zi, mes Ukrainës, Turqisë dhe Rusisë. Kjo masë ajrore po shkakton dimër të madh në Turqi me borë të madhe, madje edhe Stambolli u godit nga një stuhi bore e cila nuk kishte rënë në Mars qe 35 vite. Si pasojë e pikërisht kësaj mase ajrore rreth Detit të Zi është ftohtë edhe në territoret tona. Kjo bërthamë e ajrit ekstrem të ftohtë siberik më në fund ka shenja se do të fillojë të dobësohet pikëkirsht nga dita e nesërme dhe si pasojë do të vije deri të rritja e temperaturave në vendin tonë nga mesjava, por edhe në Turqi nga fundjava.
Pra, gjatë kësaj jave pritet të kemi rritje graduale të temperaturave nga nesër, ndërsa nga e enjta rritje të ndjeshme. Do të vazhdojë të jetë thatë dhe pa reshje atmosferike për shkak të dominimit të plotë të masave të thata ajrore anticiklonike dhe kjo ka filluar të paraqasë shqetësim të madh tek bujqit dhe fermerët tanë, ngase toka është jashtëzakonisht e thatë për shkak të mungesës së reshjeve atmosferike. Kjo thatësi do të vazhdojë të paktën edhe këtë javë. ndërsa javët tjera ka shpresë për ardhjen eventuale të masave të lagshta ajrore të cilat mund të na sjellin reshje eventuale atmosferike.
Temperaturat minimale në Kosovë priten nga -5 deri në 5 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 16 deri në 19 gradë Celsius. Në Shqipëri ato maksimale mund të kalojnë mbi 20 gradë Celsius.
Krejt në fund të javës mund të kemi shtim të vranësirave dhe mundësi për riga lokale kryesisht të dobëta shiu, por kjo ditë është pak larg dhe ndryshime mund të ketë.
Informacione dhe detaje të reja gjatë javës./MeteoBallkan