Java e fundit e Tetorit pritet të na sjellë mot kryesisht të qëndrueshëm dhe të ngrohtë në zonat mesdhetare, ndërsa në zonat kontinentale na pret mot i freskët dhe me ngrica në pjesën e parë të javës. Gjatë ditës priten rritje të temperaturave në tërë rajonin.
Anticikloni i Azoreve i cili njihet që gati gjithmonë sjellë mot stabil pritet të zgjerohet drejt Evropës qendore fillimisht, pastaj në drejtim të Evropes lindore duke na mundësuar edhe ne një mot kryesisht stabil gati gjatë tërë kësaj jave, njërkohë një ciklon i fuqishëm mbetet aktiv në brigjet e Afrikes veriore dhe Italisë jugore duke sjellur stuhi në jug dhe jugperëndim të Italisë.
Në aspektin termik nuk priten ndryshime të mëdha temperaturash. Mëngjeset dhe netët pritet të jenë të ftohta dhe vende-vende me mjegull dhe ngrica në zonat tona kontinentale, ndërsa mjegulla mund të paraqitet kryesisht nëpër lugina. Më ngrohtë pritet në zonat bregdetare dhe mesdhetare.
Me kalimin e ditëve të javës nuk pritet ndonjë ndryshim i madh i motit. Priten rritje të lehta të temperaturave në tërë rajonin dhe normalisht alternime mes vranësirave dhe intervaleve të gjata kohore me diell. Reshje atmosferike gjatë kësaj jave pothuajse nuk priten.
Temperaturat maksimale në Kosovë pritet të arrijnë rreth 17-18 gradë Celsius sikurse edhe në Maqedoninë Veriore, ndërsa në Shqipëri afërsisht deri në 23 gradë Celsius në zonat e ngrohta mesdhetare.
Ishte ky parashikimi javor i motit bazuar në ecuritë më të fundit sinoptike. Nëse ka ndonjë ndryshim eventual do ju njoftojmë në postimet tona të përditshme./Meteoballkan