Ajo çka të bën përshtypje sapo mbërrin në Sarandë është mundësia e të zgjedhurit mes disa plazheve spektakolare që plotësojnë njëra tjetrën. Dihet fort mirë se secili prej nesh ka një version të caktuar të blusë apo kaltërsisë së detit që i pëlqen më shumë se versionet e tjera. Në plazhet e Sarandës ju do mundet të gjeni ekzaktësisht atë tonalitet të detit që keni ëndërruar aq shumë gjatë ditëve të tjera të vitit, shoqëruar nga rëra apo guralecët e pastër, si dhe plot bare e restorante të nivelit të lartë.
Fillimisht, duhet thënë se përgjatë gjithë qytetit ka plot plazhe publike që ja vlen të provohen, si dhe plazhe private të hoteleve anës detit, të cilat sidoqoftë janë të aksesueshme nga kushdo (kundrejt pagesës). Por ajo çka I jep vërtet famën Sarandës, janë plazhet përrallore që shfaqen si me magji njëri pas tjetrit duke ndjekur rrugën për në Butrint. Duke respektuar pozicionin e tyre, po ja u paraqesim ashtu siç dhe vijnë në rrugëtim.
Plazhi i Manastirit
Një nga plazhet e kristalta më të bukura të Rivierës Shqiptare është Plazhi i Manastirit, që mban këtë emër nga Manastiri i Shën Gjergjit që ndodhet në kodrën mbi plazh. Tek sa jeni duke zbritur kodrën, menjëherë ju shfaqet si një ëndërr deti ndjellës, e kjo ëndërr nis e bëhet përherë e më e qartë dhe e shkëlqyeshme tek sa i afroheni bregut.
I izoluar në të dyja anët si të ishte dhe plazhi një manastir ku shkon për t’u falur për gjithçka të bukur që sheh përreth, në plazh mund të gjesh dhe disa trampolina të improvizuara prej të cilave mund të marrësh pak vrull e si shigjetë të depërtosh në detin fantastik. Për t’i dhënë më tepër lehtësi qëndrimit tuaj në plazh, mund të merrni një nga çadrat me shezlongje që ndodhen anës detit, si dhe të përfitoni nga shërbimet e barit apo restorantit që e lehtësojnë shijimin deri në perëndim të kësaj mrekullie.
Plazhi i Manastirit
Nëse do të kishte një klasifikim zyrtar se cili është plazhi më i bukur i rivierës shqiptare, Plazhi i Pasqyrave padyshim që do të duhej të merrte një nga pozicionet kryesore. Kjo konfirmohet dhe nga qindra vlerësimet që i bëhen online këtij plazhi, si psh në faqen më të madhe të turizmit në botë tripadvisor, ku shumica e komentuesve bien dakort për magjinë e rrallë të tij.
I ndodhur në kilometrin e shtatë të rrugës Sarandë – Butrint, është një nga ndalesat më të preferuara të atyre që zgjedhin Sarandën si destinacionin e pushimeve të verës. Ngjyra spektakolare e detit, që duket sikur zihet me qiellin se cili do të ketë nuancën më të hapur të blusë, e bën këtë plazh tejet të rrallë për nga bukuria dhe pastërtia. Gurat e bardhë e të vegjël që përplasen këndshëm me shkumën e detit në breg, i japin një pamje akoma më ekzotike plazhit.
Plazhi i Pulëbardhës
Përgjatë gjithë stinës së verës, të duhet të nisesh që në mëngjes për të zënë një nga çadrat me shezllongje, në mënyrë që ta shijosh plotësisht e deri në orët e vona të mbasdites qëndrimin aty. Megjithatë edhe për pushuesit që kanë festuar deri në orët e vona të mbrëmjes, ekziston gjithmonë mundësia e marrjes së një çadre vetjake, e cila mund të vendoset lehtësisht në një nga hapësirat publike.
Gjiret e vogla apo shkëmbinjtë përgjatë bregut e zbukurojnë akoma më shumë këtë plazh që të duket sikur nuk mund të bëhej më I bukur se kaq. Përgjatë bregut mund të ulesh dhe në kafene apo restorant, në mënyrë që të shijosh nën erën e detit peshkun e freskët apo frutat e detit.
Rruga Sarandë – Butrint. Për hartën kliko këtu.
Ksamil
Pak kilometra në jug të Sarandës gjendet fshati i Ksamilit, një nga surprizat më të mrekullueshme që ofron turizmi shqiptar. Falë detit të kristaltë e ishujve me plazhe mahnitëse që arrihen lehtësisht nga bregu, si dhe afërsisë me Butrintin (pasuri botërore e UNESCOs), vitet e fundit ky vend ka tërhequr vëmendjen e plot mediave ndërkombëtare që e kanë vendosur në listat e destinacioneve të jugut të Evropës që nuk duhet të humbisni.
Ishujt binjakë të Ksamilit
Përgjatë gjithë kohës varkat e vogla ikin e vijnë me plazhistë që zgjedhin për disa orë të pushojnë në ishujt përrallor që në total janë katër, po ku spikasin ishujt binjakë të Ksamilit. Këta ishuj quhen kështu për faktin se janë të lidhur njëri me tjetrin përmes një rripi të ngushtë rëre, që të krijon një ndjesi të papërshkrueshme tek sa gjendesh në pikëtakimin e dy brigjeve të ndryshme detare. Falë qetësisë perfekte dhe bimësisë së dendur të ishujve, edhe pse fare pranë zonave të banuara të duket sikur je në ndonjë parajsë tropikale prej së cilës nuk do të largohesh.
Ishujt e Ksamilit në Sarandë.
Hotelet, baret dhe restorantet përgjatë gjithë fshatit të Ksamilit ofrojnë shërbimë cilësore e mundësojnë një pushim tejet relaksues e komod. Gatimet e detit plot shije apo koktejlet freskuese janë një garanci më tepër për të shijuar si duhet diellin mesdhetar. Nga kanoat apo rrëshqitëset mbi ujë, tek zhytjet e shoqëruara nga profesionistë apo lundrimet me varka, mundësitë e argëtimit në Ksamil janë nga më të ndryshmet.
Transport publik: Të gjitha plazhet e mësipërme mund të vizitohen dhe përmes transportit publik. Udhëtimi zgjat rreth 20-25 minuta dhe kushton 100 lekë. Nisja bëhet nga Sheshi Nënë Tereza në Sarandë, dhe ndalesat zakonisht bëhen sipas kërkesave të pasagjerëve. Për oraret e kthimit pyesni shoferin apo fatorinon sepse në periudha të ndryshme të vitit oraret ndryshojnë.
Nga: IntoAlbania