Policia e Kosovës u ka bërë thirrje shoferëve që të kenë kujdes gjatë vozitjes pasi është shfaqur mjegull në disa vende me pozitë gjeografike më të ulët.
Sipas Policisë, ngasja në mjegull mund të jetë e rrezikshme, andaj duhet të mbahet në vëzhgim rruga për ndryshime të papritura të dukshmërisë.
“Mjegulla më e dendur mund të jetë më afër lumenjve. Përdorni dritat e mjegullës. Nëse automjeti juaj i ka këto drita kjo ju ndihmon të ndriçohet rruga para jush dhe këto drita e bëjnë automjetin tuaj më të dukshëm për shoferët e tjerë. Disa automjete kanë edhe dritat e pasme të mjegullës të cilat ndihmojnë shoferët që lëvizin mbrapa t’ju shohin juve edhe nga një distancë më e madhe.” – thuhet në thirrjen e Policisë.
Policia ka shtuar se mjegulla mund të krijojë një iluzion optik dhe t’i bëjë shoferët të mendojnë se po shkojnë më ngadalë seç janë.
“Mbani vëmendjen, mos shpejtoni! Ndizni dritat gjatë ngasjes, por mos ndizni dritat me rreze të gjata! Ngasja e automjetit me drita të gjata mund të reflektojë jashtë mjegullës dhe mund të kthehet në automjetin tuaj, e cila gjithashtu e bën të pamundur që shoferët e tjerë t’ju shohin.” – kanë thënë nga Policia.
Ndërkaq, Policia ka theksuar që shoferët të mbajnë ndezur dritat e shkurtra dhe të mjegullës, të mbajnë nën kontroll shpejtësinë e lëvizjes si dhe të ndjekin krahun e djathtë të rrugës gjatë lëvizjes.













