Sot në tërë rajonin tonë do të mbajë mot stabil dhe me diell. Në mëngjes nëpër lugina mund të ketë mjegull. Temperaturat do të vazhdojnë të ngriten dhe kjo do të na bënë të besojmë se jemi në pranverë e jo në dimër.
Masa e fuqishme ajrore anticiklonike e cila ka në mbizotërim shumicën e Kontinentit evropian është përhapur edhe tek ne dhe kjo masë ajrore do të na garantojë disa ditë mjaft të mira dhe stabile ku nuk do të mungojnë edhe rrezet e shumta të diellit. Temperaturat do të shënojnë ngritje graduale çdo ditë e më shumë. Netët dhe mëngjeset do të jenë të ftohta dhe në disa rajone ka mundësi që të ketë edhe mjegull.
Sipas ecurive aktuale sinoptike nga dita e enjte do të kemi fillimin e përkeqësimit gradual të motit si pasojë e lëvizjes së qendrës anticiklonike në drejtim të Skandinavisë dhe në këtë mënyrë nga Evropa verilindore dhe Rusia në drejtim të rajonit tonë do të fillojnë të depërtojnë masa më të ftohta ajrore. Ashtu siç kemi thënë edhe në postimet tona paraprake fundjava e ardhshme mund të jetë mjaft e ftohtë, por për detaje duhet të presim sepse në pyetje janë disa ditë. Ne do të ju informojmë për çdo të re ditët në vijim./Meteoballkan