Valët e të nxehtit, që po shfaqen gjithnjë e më shpesh si pasojë e ndryshimeve klimatike, mund të shkaktojnë dëme afatgjata në shëndetin e miliarda njerëzve, paralajmërojnë shkencëtarët.
Një studim i publikuar të hënën në revistën Nature Climate Change ka analizuar të dhënat shëndetësore të 25 mijë të rriturve në Tajvan, përgjatë një periudhe 15-vjeçare. Rezultatet tregojnë se ekspozimi ndaj valëve të të nxehtit për dy vite mund ta përshpejtojë plakjen biologjike të njeriut me tetë deri në 12 ditë.
“Ky numër i vogël në dukje ka shumë rëndësi,” tha Cui Guo, asistente profesoreshë në Universitetin e Hong Kongut dhe autore kryesore e studimit. “Studimi ynë mori në analizë vetëm ekspozimin për dy vite, por ne e dimë që valët e të nxehtit kanë qenë të pranishme për dekada me radhë.”
Studiuesit vërejtën se për ata që përjetuan katër ditë shtesë me temperatura ekstreme në një periudhë dyvjeçare, mosha biologjike u rrit mesatarisht me nëntë ditë. Punëtorët manualë, që kalojnë më shumë kohë jashtë, ishin më të prekurit: atyre iu shtuan deri në 33 ditë plakje biologjike.
Në vitin 2024, i cilësuar si viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, ndryshimet klimatike shkaktuan 41 ditë shtesë me temperatura ekstreme në mbarë botën, sipas organizatës World Weather Attribution. Muajt e fundit janë regjistruar temperatura rekord në Evropë, Japoni, Kore, Iran dhe në Bregun Perëndimor të SHBA-së.
Studiuesit paralajmërojnë se disa grupe janë më të cenueshme ndaj plakjes së përshpejtuar për shkak të nxehtësisë. Të moshuarit, ata që jetojnë pa kondicioner ose që punojnë jashtë, mund të preken më shumë. Megjithatë, autorët sqarojnë se kjo nuk do të thotë humbje ditësh nga jeta, por një ndryshim i matshëm në treguesit biologjikë të plakjes.
Studimi mori parasysh edhe faktorë si pesha, zakonet e duhanpirjes, aktiviteti fizik dhe sëmundjet ekzistuese si diabeti apo kanceri.