Pothuajse nuk ka ndonjë ndryshim që mund të konsiderohet i rëndësishëm në analizat më të reja të modeleve globale kompjuterike për parashikim të motit për ditët e ardhshme. Sot dita do të jetë mjaft stabile, me diell dhe e nxehtë, kurse nga e diela pritet ndryshim i kushteve të motit.
Për ti rënë sa më shkurt, nga e diela pritet cikloni i fuqishëm mbi Gadishullin Ballkanik, kurse Sllovenia dhe pjesë të Kroacisë do të përfshihen gjatë së shtunës nga reshje të dendura shiu.
Të dielën cikloni do të depërtojë afër territorit të Italisë qendrore dhe jugore duke udhëtuar gradualisht në drejtim të Ballkanit.
Në Shqipëri priten reshje lokale shiu si dhe rrebeshe lokale të fuqishme me vetëtima dhe bubullimë duke filluar nga dita e diel, ndërsa në Kosovë reshjet do të fillojnë gjatë pasdites apo mbrëmjes, por jo në tërë territorin. Reshjet që do të vijnë gjatë natës do të përfshijnë tërë territorin e Republikes së Kosovës.
Pra, nga e diela natën dhe e hëna i tërë rajoni ynë do të përfshihet nga reshje, lokalisht edhe rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë. Për të mos u keqkuptuar do të ketë edhe pauza dhe intervale kohore të thata, por reshjet do të jenë të shpeshta dhe mund të shfaqen në çdo vend dhe në çdo kohë, sepse atmosfera do të jetë jostabile për disa ditë dhe netë me radhë. Lokalisht nuk përjashtohet mundësia edhe e vërshimeve dhe breshërit. Informata dhe detaje të reja ditën e nesërme./Meteoballkan