Vushtrria është qytet që gjendet në pjesën verior të Kosovës me një popullsi prej rreth 70 mijë banorë, transmeton Gazeta Metro.
Një nga atraksionet kryesore të këtij qyteti është Ura e Vjetër e Gurit. Kjo urë gjendet në pjesën veriperëndimore të hyrjes së qytetit e cila sipas hulumtimeve të fundit llogaritet të jetë ndër urat më të vjetra të llojit të vetë në Kosovë.
Në lidhje me vjetërsinë e urës ka versione të ndryshme por dominojnë mendimet sipas të cilave ajo është ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane apo edhe më herët në kohën e Perandorisë Romake. Në vetë qytetin e Vushtrrisë ajo njihet me emrin Ura e Vjetër e Gurit.
Ura është ndërtuar nga blloqet e gurit, të cilat me gjasë janë marrë nga kodrinat e qytetit antik të Lumkuqit si dhe të Martirajt të Epërm.
Gurët janë të gjatë rreth një metër dhe të trashë 30 – 40 cm, të gdhendur mirë e të murosur me rende paralele. Ura me pjesët shtesë anësore, është e gjatë 135 metra, e ngritur mbi nëntë harqe. Gojëdhënat tregojnë se ura dikur i kishte 12 harqe por që me kalimin e kohës kanë mbetur nën shtresat e dheut.
Deri në vitin 1902 ura në mes kishte një lartësi diku 7,5 metra. Tani nga ajo lartësi e urës mund të shihen vetëm 3,7 metra.
Sot, Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri gjendet mbi shtratin e thatë të lumit Sitnicë, uji i të cilit për shkak të përbërjes pedologjike të tokës e ndërroi rrjedhën për afër një kilometër në perëndim.
Nuk dihet saktësisht se kur lumi Sitnica ka ndërruar rrjedhën e saj dhe nuk kalon më nën Urën e Gurit, por dihet që ka së paku dy shekuj që kjo Urë e Gurit ka mbetur pa lumin e tij, dhe si e tillë bëhet rast i rrallë në botë, Ura pa lum.