Pas thatësisë ekstreme të ditëve, javëve dhe muajve të kaluar Nëntori filloi me depërtimin e masave të lagshta ciklonike me origjinë nga Oqeani Atlantik. Përderisa në rajon kishte reshje të shumta shiu ne ende përballeshim me mungesën e reshjeve sepse frontet dhe ciklonet nga Atlantiku nuk depërtonin mjaftueshëm në drejtim të juglindjes, megjithatë pas “presionit të pandërprerë” të masave ajrore ciklonike nga Atlantiku tani kemi edhe reshjet e shumëpritura të shiut.
Reshje intensive pati në shumë pjesë të rajonit tonë dhe ato po vazhdojnë edhe në këto çaste, diku më shumë e diku më pak.
Masat ajrore të lagshta dhe mjaft jostabile do të vazhdojnë edhe ditëve të ardhshme nga Atlantiku të trazojnë Mesdheun perëndimor ku do të krijohen ciklone të reja në mënyrë të vazhdueshme. Disa nga këto ciklone do të depërtojnë edhe tek ne dhe në këtë mënyrë vijmë në përfundim se edhe ditëve të ardhshme na pret një mot mjaft i ndryshueshëm dhe jostabil. Normalisht do të ketë pauzë të reshjeve, por do të ketë vale të reja reshjesh atmosferike.
Përkundër depërtimit të vazhdueshëm të masave të paqëndrueshme ajrore nuk do të kemi ndonjë depërtim të masave të ftohta të cilat do kushtëzonin reshje bore. Reshjet e bores mund të paraqiten vetëm në majat më të larta të rajonit tonë.
Kjo vlenë për gjysmën e parë të muajit Nëntor, ndërsa nuk ka ndonjë indikacion se mund të ketë ndonjë ndryshim në gjysmën e dytë të Nëntorit, por për këtë ka kohe dhe ndryshimet mund të ndodhin./Meteoballkan