Edhe ditëve të ardhshme mbi rajonin tonë do të vazhdojnë të depërtojnë masa ajrore mjaft jo stabile nga veriperëndimi i Kontinentit Evropian. Këto masa jostabile ajrore me origjinë nga Oqeani Atlantik nga Evropa Qendrore nëpërmjet Alpeve do të depërtojnë në Mesdhe duke shkaktuar ciklogjeneza të vazhdueshme mbi këtë rajon. Këto ciklogjeneza shpeshherë do të bartin lagështinë e tyre direkt mbi dhe në drejtim të rajonit tonë, duke kushtëzuar reshje të dendura shiu dhe bore.
Pasi që do të kemi depërtimin e masave pak më të nxehta ajrore nga Mesdheu, këto masa ajrore në kombinim me “mbetjet” e ajrit polar dhe depërtimet e reja të ajrit polar në sasi më të vogla do të vazhdojnë të na sjellin mix të reshjeve atmosferike. Reshje mjaft të dendura shiu ditëve të ardhshme do të përfshijnë territorin e Shqipërisë. Reshje të dendura shiu dhe bore priten edhe në shumë pjesë të rajonit të Dukagjinit. Reshjet nuk do të kursejnë edhe rajonet tjera të Kosovës por do të jenë pak më të lehta. Reshje jashtëzakonisht të dendura shiu priten në Mal të Zi, ndërsa reshje të herëpashershme shiu nëpër ultësira dhe bore në viset malore priten edhe në Maqedoni.
Në fillim të Shkurtit në Evropën Qendrore do të krijohet një ciklon i fuqishëm i cili në drejtim të rajonit tonë do të tërheqë sasi të madhe të ajrit të nxehtë nga Mesdheu dhe Afrika Veriore. Si pasojë do të vijë deri te shkrirja e borës dhe në kombinim me reshjet e mëdha atmosferike mund të ketë edhe vërshime lokale. Ky dimër po e arsyeton epitetin e një dimri të vërtetë megjithë mungesën e acarit të madh Siberik. Kemi pasur të gjitha, pra reshje të dendura bore, shi , furtuna dimërore dhe acar relativ. Kjo nuk do të thotë se dimri ka përfunduar. Pas ngritjes së temperaturave në fillim të Shkurtit shumë thjeshtë mund të ndodhe që pas disa ditëve të kemi rikthimin e dimrit në rajonin tonë. Kjo pasi që rrethi polar është ende i ndarë në dy ose tri pjesë ku njëra pjesë ka shkuar në drejtim të Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kurse pjesa tjetër është koncentruar thellë në Siberi. Në SHBA ditëve të ardhshme pritet zbutje e acarit të madh Polar dhe në Siberi pritet që ky acar të forcohet edhe më tujte dhe mjafton vetëm që situata sinoptike të jetë optimale për depërtimin e këtij acari në drejtim të rajonit tonë dhe Evropës. Megjithatë shumë kushte duhet të plotësohen apo shumë “kocka të përshtatën” në mënyrë që kjo të jetësohet. Sidoqoftë ne do të jemi këtu për tju informuar për të rejat më të fundit të kushteve sinoptike në terme afatshkurtëra dhe afatgjata. Parashikimet afatshkurtëra janë shumë më kredibile./Meteoballkan