Nga ngrohja globale janë shtuar stuhitë, përmbytjet e thatësirat. Sipas German Watch, 2017 ishte veçanërisht vit shkatërrues, me më shumë se 11.500 viktima dhe dëmtime të pronës me vlerë mbi 375 miliardë dollarë.
Në vitin 2017 pati mot me ekstreme dhe dëme të shumta, sipas organizatës së mjedisit German Watch. Të dhënat janë paraqitur në një raport të botuar në filim të javës (04.12). Më shumë se 11.500 njerëz humbën jetën si rezultat i ngjarjeve ekstreme të motit vitin e kaluar, dëmtimi i pronës arriti në 375 miliardë dollarë amerikan. Bazuar në të dhënat nga shoqria e sigurimeve Munich Re si dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), David Eckstein nga German Watch ka llogaritur së bashku me autorë të tjerë një pjesë të dëmtimeve nga moti në botë. Rezultatet ai i paraqiti në Indeksin e Rrezikut të Klimës (KRI) të këtij viti në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet e Klimës në Katovicë të Polonisë. Sipas German Watch, gjatë 20 viteve të fundit më shumë se 526.000 vetë në mbarë botën humbën jetën si pasojë e ekstremeve të motit. Dëmtimet e drejtpërdrejta të pronave arritën në rreth 3.500 miliardë dollarë amerikanë, thuhet në raport.
Ciklonet tropikale zhdukin ishuj
Ciklonet tropikale me përmasa shkatërruese goditën fuqishëm veçanërisht ishujt e Karaibeve Puerto Rico dhe Republikën Dominikane. Të dy ishujt u shkatërruan rëndë nga uragani Maria në shtator 2017. Sipas shifrave zyrtare mbi 3000 vetë humbën jetën në të dy ishujt. “Që po intensifikohen stuhitë me rritjen e shpejtësitë së erës dhe të reshjeve, kjo përkon me parashikimet e shkencës së klimës”, thotë Eckstein.
Moti ekstrem ktheu prapa rajone dhe shtete
KRI ka treguar dy tendenca gjatë dy viteve të fundit: Së pari, rritet vrulli i disa ngjarjeve ekstreme të motit. Për ishujt e Karaibeve të Porto Rikos (3.3 milionë banorë) ose ishullin e Republikës Dominikane (rreth 74.000 banorë), kjo do të thotë se rindërtimi i tyre do të zgjasë shumë vite. Nga ana tjetër, vende të tilla si Haiti, Filipinet, Sri Lanka ose Pakistani goditen në mënyrë të rregullt nga ekstremet e motit, kjo bën që atyre u mbetet pak kohë për t’u rikuperuar nga dëmtimi. Në Azinë Jugore, ka gjithnjë e më shumë reshje të përsëritura monsun me përmbytje dhe rrëshqitje të dheut. Në Gjermani në vitin 2017, kanë shkaktuar shumë dëme kryesisht uraganet në vjeshtë dhe shirat e forta e të vazhdueshme rajonale pas një thatësire të gjatë në fillim të verës. Në përgjithësi, ndryshimet ekstreme të motit në Gjermani kanë marrë 27 jetë njerëzish vitin e kaluar dhe kanë shkaktuar dëme rreth 3.6 miliardë dollarë amerikanë. Në vitin 2017, Gjermania në indeks u rendit e 25-ta për 20 vitet e fundit. “Për shkak të thatësirës rekord dhe ngrohjes ekstreme të këtij viti, mund të pritet në indeksin e ardhshëm që vendet evropiane të marrin edhe më shumë fokus”, thotë Eckstein. Për shembull, Franca tashmë është një nga 20 vendet më të prekura në indeksin afatgjatë. Franca në 2016-ën u godit nga një valë e nxehtë ekstreme. Në temperatura deri në 41 gradë, humbën jetën më shumë se 3300 vetë. Sidomos njerëzit më të moshuar dhe ata të dobët nuk mund ta përballonin ngrohjen e lartë. India gjithashtu u godit rëndë në po të njëjtin vit, më shumë se 4300 njerëz vdiqën për shkak të valës së të nxehtit.
Kush duhet t’i përsipër marrë dëmet?
Sipas Indeksit, nga dhjetë vendet më të prekura në 20 vitet e fundit, tetë ishin vende në zhvillim me të ardhura të ulëta. “Këto vende kanë më pak burime për ta mbrojtur veten nga pasojat e ndryshimeve klimatike ose për të kompensuar humbjet dhe prandaj kërkojnë mbështetje veçanërisht të madhe, “thekson Eckstein. “Nga njëra anë, vendet e industrializuara që ndikojnë në ndotjen e ajrit duhet të mbështesin shtetet më të varfra në përshtatjen me ndryshimet klimatike. Nga ana tjetër, ato gjithashtu duhet t’i ndihmojnë ata të merren me dëmet dhe humbjet, “thekson Eckstein.” Kjo kërkesë do të luajë një rol të madh në Katovicë. ” Por vetëm vitet e fundit kanë treguar gjithashtu se edhe vendet e pasura industriale janë goditur edhe më shumë nga ndryshimet klimatike. Megjithatë, Indeksi i Rrezikut të Klimës mbulon deri tani vetëm një pjesë të dëmeve në mbarë botën. Pasojat e tërthorta të ngjarjeve ekstreme të motit siç janë zjarret në pyje dhe thatësirat nuk pasqyrohen në indeks. Gjithashtu ngjarjet që lëvizin ngadalë të tilla si rritja e nivelit të detit ose salinizimi i tokave deri më tani janë injoruar, thotë Eckstein për DW. Një problem i madh dhe deri tani i pazgjidhur është gjithashtu se shumë vende dhe qytetarët mbeten pa përkrahje me dëmin e tyre. Nëse pikërisht këto vende nuk kanë janë ato që nuk e kanë influencuar ndryshimin e klimës, atëherë ky është një “skandal i padrejtësisë”, mendon Eckstein. Nga këndvështrimi i politikës për klimën, duhet që të gjitha vendet që kanë shkaktuar ndryshimet klimatike të marrin përgjegjësinë. Sipas Eckstein, vlerësimet tregojnë se të paktën një e treta e të gjitha ngjarjeve ekstreme të motit në mbarë botën lidhen me efektet serë të shkaktuara nga njeriu. “Duke marrë këtë si bazë, duket e përshtatshme që ndotësi të mbulojë gjithashtu rreth një të tretën e kostove”./dw.com