Veç bukurisë që i falë natyrës me ngjyra, stina e vjeshtës cilësohet edhe si stinë e begatë, kjo për shkak të të mirave të shumta ushqimore që na i falë kjo stinë. Për të kuptuar se cilat janë frutat që duhet t’i kemi pjesë të menysë tonë ditore gjatë vjeshtës, Radio KFOR-i kontaktoi Dhurata Nasufi Halabakun, e cila është nutricioniste në “Shëndeti Club”: “Vjeshta është një nga stinët më të begatshme të vitit, për shkak se një numër shumë i madh i pemëve dhe perimeve piqen në këtë stinë. Përparësia e vjeshtës është se në këtë stinë të gjitha frutat: pemët dhe perimet, janë të freskëta dhe i kanë cilësitë e tyre ushqyese më të ruajtura dhe më të freskëta. Ndër pemët më të shëndetshme të stinës së vjeshtës janë: molla, dardha, shega, kumbulla dhe hurmet, të cilat përveç që janë të pasura me një numër të madh të vitaminave dhe mineraleve, kanë edhe një numër të madh të fibrave. Këto fruta shquhen për një numër të madh të vetive anti-kancerogjene. Ndërsa nga perimet janë bishtajoret, ato që piqen në këtë kohë dhe që janë të pasura me proteina, fibra, e mandej kemi kungullin, karotën, spinaqin dhe shumë perime të tjera. Është mirë që ta shfrytëzojmë vjeshtën që t’i konsumojmë këto pemë dhe perime pasi janë edhe me një kosto më të lirë në treg, janë të freskëta dhe shumë të shëndetshme.”
Të ushqyerit në mënyrë të shëndetshme është një nga faktorët kryesor për jetë të gjatë e të shëndetshme, andaj, përkujdesuni që menyja juaj ditore të përfshijë edhe pemët dhe perimet e pasura me vitamina e minerale që na i falë vjeshta./RadioK4