Nesër në Kosovë do të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe i ngrohtë, por me fuqizim gradual të erërave jugore. Pasdite vonë do të ketë zhvillime të vranësirave të cilat do të sjellin reshje lokale shiu. Mund të ketë edhe ndonjë rrebesh shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Në Shqipëri nesër pasdite do të ketë rikthim të të reshurave atmosferike. Vende-vende mund të ketë rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Edhe në Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi nesër pritet të rifillojnë reshjet e shiut. Në Mal të Zi priten përsëri stuhi të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë, kurse në Maqedoninë e Veriut reshjet do të fillojnë vonë pasdite.
Pas një pauze reshjet e shiut pritet të rifillojnë përsëri të shtunën si në Kosovë, po ashtu edhe në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi. Vende-vende priten reshje të dendura shiu. Natën mes së shtunës dhe së dielës në Kosovë do të ketë gjasa për reshje të dendura dekorative bore.
Nga e diela na pret mot pak më i ftohtë. Do të ketë intervale kohore me diell, por edhe vranësira të shpeshta. Vende-vende do të vazhdojnë edhe reshjet lokale të shiut (më të pakta) si dhe reshjet lokale të dëborës në viset kodrinore-malore./Meteoballkan