Të paktën dy aksidente kanë ndodhur në një rrugë në lagjen Veternik të Prishtinës të enjten si pasojë e rrugëve të rrëshqitshme. Rruga ngjante në pistë patinazhi.
Qytetarë të kësaj lagje i kanë dërguar dy video KOHËS, e në të cilat shihen veturat që rrëshqasin e nuk mund të ndalen dhe si pasojë përplasen me vetura të tjera në rrugicë.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës s’janë dhenë detaje për aksidentet, ndërsa në një përgjigje të premten në mesditë, Policia ka thënë se në rrugën “Nekibe Kelmendi”, të enjten rreth orës 15:00, ka ndodhur një aksident trafiku me dëme materiale në mes të dy automjeteve.
Pos të enjtes, edhe të premten ka pasur raportime të qytetarëve për rrugë të rrëshqitshme si pasojë e të ftohtit që ka marrë pas reshjeve të borës që mbizotëruan ditëve të fundit.