Në prag të festave të fundvitit, disa komuna në Kosovë po përballen më mungesë të rrymës për orë të tëra. Ndalja e energjisë elektrike po thuhet të jetë për arsye të mbingarkesës për shkak të konsumit të lartë të energjisë elektrike nga ana e konsumatorëve në këto kohë, pas motit me temperatura të ulëta.Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) thotë se po punon me kapacitete të plota, ndërsa kompania për distribuimin e energjisë elektrike (KEDS) nuk i ka quajtur reduktime, por “mbingarkesa” dhe ka kërkuar nga konsumatorët që të kursejnë maksimalisht rrymën.
Për këtë problematikë, KALLXO.com ka biseduar me udhëheqës, zyrtarë të komunave të Rahovecit, Malishevës, Ferizajt e Gjilanit. Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi e ka konfirmuar për KALLXO.com se ka rreth pesë ditë që kanë nisur reduktime në këtë komunë.Sipas kryetarit Latifi çështja e furnizimit me energji elektrike vazhdon të jetë problem serioz dhe ai vlerëson se këtë vit ka pasur më shumë telashe me rrymë në Rahovec. “Gati në krejt komunën, ka probleme, ka mungesë energjie, ka diegie të rrjetit, ka diegie të trafove, andaj unë e vlerësoj punën e atyre punëtorëve që janë në terren, vërtetë po punojnë shumë, po sistemi është shumë i mbingarkuar” – tha Latifi, më 24.12.2024.
Latifi tha se kanë biseduar me zyrtarë të Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), të cilët u kanë thënë se do të stabilizohet situata.“Ka raste 30 orë ka pasë reduktim, Krushë të Madhe. Ka pas një diegie të një kablloje nëntokësore, mezi e kanë riparu” – ka shtuar Latifi.
Madje edhe në Komunë të Rahovecit, Latifi tha se ka nevojë që ta ndezin gjeneratorin për të punuar.“Telefonata pa ndërprerë, se ata [qytetarët] po besojnë që ne mundemi me kontribu duke ushtru presion direkt mbi KEDS-in ose mbi thjeshtë institucionet kompetente që të gjendet një zgjidhje sa ma shpejt, sepse edhe temperaturat nuk janë shumë të favorshme tash” – ka thënë Latifi.
Kurse nënkryetari i komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu në një bisedë për KALLXO.com tha se të hënën, më 23.12.2024, nuk ka pasur rrymë rreth 14 orë
“Edhe brenda komunës ka qenë e pamundshme për me punu. Plot prej zyrtarëve edhe i kemi liru pasdite, se s’ka pas kushte edhe për shkak të ftohtit, po edhe për shkak të ndërprerjes së shpeshtë, ardhjes dhe ndërprerjes së shpeshtë të energjisë elektrike” – ka thënë Aliu.Aliu tha se potenciali maksimal i energjisë elektrike në Ferizaj është 35 megavatë. “Para një muaje kur janë kanë temepraturat ende mbi 0, d.m.th veç është rrit ai maksimum. Edhe me prodhu me sa dush me pas energji për me ble, për mbi 35MW, a shpenzimi është dukshëm ma i madh se sa 35 MW” – ka treguar Aliu.
Aliu e ka kritikuar subvencionimin e Ministrisë së Ekonomisë për blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje, pasi siç thotë, kjo “politikë e gabuar” e ka stimuluar shpenzimin e energjisë elektrike.Aliu madje mendon se kjo gjendje e energjisë elektrike është pikërisht për shkak të subvencionimit “të pakontrolluar” të Ministrisë së Ekonomisë për ta zëvendësuar ngrohjen e mëparshme me ngrohje elektrike.“Unë besoj që kena me ndërmarr një veprim për me bisedu, po krejtësisht është e kotë, se shpenzimi është enorm. Ti nuk mundesh ma m’i ndalë qytetarët, nuk mundesh m’i thanë ti mos e lësho nxemjen sepse vet e kena stimulu si shtet” – tha Aliu.
Ministria e Ekonomisë në muajin tetor 2022, dhe në muajin shtator të viteve 2023 dhe 2024 ka hapur thirrjet për subvencionimin në pajisjet e ngrohjes.Leonora Morina-Bunjaku, nënkryetare e komunës së Gjilanit e ka pohuar se ka reduktime të energjisë elektrike në këtë komunë, por ka kërkuar që për më shumë të pyetet Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Drejtori i urbanizmit në Malishevë, Avdi Morina i ka thënë KALLXO.com se kjo komunë ballafaqohet me reduktime të ashpra qoftë në sezonë verore, qoftë në atë dimërore.“Reduktime në komunën e Malishevës janë të paplanifikuara, kemi reduktime të ashpëra, ku kemi disa vendbanime apo fshatra, të cilat pothuajse për dy ditë të tëra nuk kanë fare energji elektrike. Ky është shqetësim” – ka thënë Morina.
Morina mendon se qytetarëve të Malishevës është duke iu bërë padrejtësi e madhe për furnizim të rregullt me energji elektrike, pasi janë duke humbur edhe ekonomitë familjare.“Me të vërtetë jemi në gjendje shumë të rëndë, kemi shumë ankesa [nga qytetarët]” – tha Morina.Sipas Morinës, limiti i energjisë elektrike që e ka pranuar Malisheva është 24kW, por ai thotë se tash konsumi është shumë më i madh.KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësin në KEK, Skënder Bucolli. Bucolli ka treguar se prodhojnë 750 MW brenda orës dhe se janë duke punuar me kapacitete të plota, e nuk kanë mundësi më shumë.“Kosova B i shpenzon 1.2 ton qymyr, Kosova A i shpenzon rreth 1.5 veç një mesatare që e kemi na rreth 1.3 ton qymyr për një megavat (MW) energji elektrike” – ka thënë Bucolli.
Se si përgatitet KEK para stinës së dimrit, Bucolli ka treguar se bëhen kontrollet (remontet) e rregullta të njësisë në termocentralet A dhe B në të gjitha pikat e ndjeshme.“Kontrollohet kaldaja, kontrollohen trubinat, gjeneratorët, gjitha pajisjet kontrollohen. Përveç këtyre, na e kemi obligim edhe në bazë të orëve, p.sh nëse një njësi i bën 2000 orë, na jemi të obliguar me ndalë relizione të shkurta 3,4 ditë me ba një check up… edhe ftohet turbina edhe e bëjnë një check up në rast se e kqyrin ku ka pajisje që ka nevojë m’u siguru për dimër” – tha Bucolli.Në anën tjetër, KEDS ka njoftuar se për shkak të rritjes së konsumit të energjisë elektrike në shumë pjesë të Kosovës ka një varg mbingarkesash.
“Një pjesë e konsumatorëve janë duke u ballafaquar me sfidë të furnizimit me energji elektrike, pasi po rrezikohen asetet dhe po vjen deri te djegia e tyre që, si pasojë, konsumatorët po mbesin për një kohë pa energji elektrike deri në zëvendësimin e aseteve, ku në raste të caktuara përfshijnë kabllot e deri te transformatori” – njofton KEDS, më 24.12.2024.Sipas KEDS, edhe në këto rrethana po arrijnë t’i furnizojnë mbi 95% të konsumatorëve në vazhdimësi, krejt kjo si rezultat i investimeve të vazhdueshme në rrjet
.“Konsumi, që po arrin nivele rekorde historike deri në 1500MW/h, i cili, krahasuar me vitin 2013, kur KEDS-i kishte filluar së operuari, ishte rreth 1000MW/h, përveçse po përballohet në masë të madhe falë këtyre investimeve, po mbulohet komplet nga prodhimi vendor dhe importi, i cili po arrin deri në 500 megavatë në orë” – ka theksuar KEDS.KEDS u ka apeluar konsumatorëve që të bëjnë kursim maksimal të energjisë, posaçërisht të kujdesen për ngrohjen me rrymë, në mënyrë që të lehtësohet gjendja dhe rrjeti distributiv ta përballojë më lehtë.