Cikloni i parë serioz pas një periudhe mjaft të gjatë pa reshje atmosferike do të krijohet dhe fuqizohet në fillim të javës së re në jug të Italisë duke krijuar kushte për reshje të reja shiu në viset tona paksa më intensive edhe në Kosovë.
Këto ditë kemi reshje atmosferike por janë krejtësisht të dobëta dhe të pamjaftueshme. Reshje më të dendura shiu priten lokalisht të dielën por jo në të gjitha viset. Pikërisht për këtë arsye po shkruajmë për këtë ciklon i cili do pritet të sjellë reshje më intensive në të gjitha vise në fillim të javës së re.
Edhe pse kemi disa ditë dhe sasia e reshjeve do të ndryshojë nga dita në ditë, por ardhja e këtij cikloni është pothuajse e sigurt.
E rëndësishme është që reshje do të ketë në të gjitha viset dhe se reshjet e shiut do të jenë shumë të mirëseardhura dhe këto reshje do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes së rënduar hidrologjike si në Shqipëri, por ashtu edhe në Kosovë. Normalisht kjo nuk do të thotë se do të kemi reshje të mjaftueshme në të gjitha viset, por të paktën thatësia e madhe do të zbutet.
Reshjet nuk do të jenë pa ndërprerje, por të herëpashershme, pra do të ketë edhe periudha pa reshje si gjatë fundjavës po ashtu edhe në fillim të javës së re.
Sipas parashikimeve aktuale në Kosovë reshjet më intensive priten mbrëmjen e së Hënës dhe mëngjesin e së Martës, por kjo mund të ndryshojë, ngase edhe ndryshimi i vogël i rrugëtimit apo pozicionit të ciklonit mund të ndryshojë rrjedhën dhe sasinë e reshjeve atmosferike.
Në malet më të larta priten reshje të reja bore, madje në bjeshkët e larta mund të ketë reshje të dendura bore.
Përpos Kosovës, reshje të dendura shiu priten edhe në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi, pra e kemi fjalën për ciklonin në fillim të javës së re.
Reshje intensive shiu priten edhe më gjerë në rajon sidomos në Bosnjë dhe Hercegovinë, Greqi dhe Serbi, madje në Bosnjë priten reshje bore edhe në viset kodrinore-malore madje intensive. Reshjet e para të borës mund të paraqiten edhe në disa ultësira të Bosnjës. Reshjet e dendura pastaj do të zhvendosen në Bullgari dhe Turqi.
Pra, gjatë fundjavës na pret mot plotësisht i vranët me reshje të herëpashershme, lokale shiu. Të dielën reshje pak më intensive por jo në të gjitha viset. Në fillim të javës së re vjen cikloni i cili do të sjellë reshje shiu të cilat në Kosovë pritet të arrijnë mbrëmjen e së hënës ose më së largu mëngjesit e së martës.
Për çdo ndryshim dhe përditësim në parashikim do të njoftoheni me kohë në postimet tona tjera ku tjetër pos në MeteoBallkan/MeteoBallkan















