Nesër në Kosovë pritet të mbajë mot me vranësira të dendura e reshje të herëpashershme, lokale shiu. Në disa rajone priten reshje të imëta shiu. Në përgjithësi reshjet do të jenë të dobëta me ndonjë përjashtim.
Temperaturat parashihet të luhaten nga 6 minimalja deri në 13 gradë Celsius ajo maksimale.
Në Shqipëri nesër pritet të mbajë mot me vranësira të dendura, por në disa rajone bregdetare mund të ketë intervale kohore me diell kryesisht të shkurtra. Gjatë ditës ose pasdite priten reshje shiu e lokalisht edhe rrebeshe lokale me vetëtima dhe bubullimë sidomos në jug dhe pjesët qendrore të vendit.
Vranësira të dendura nesër do të ketë edhe në Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe veri të Malit të Zi, por reshjet nuk do të jenë të shumta, por kryesisht të pakta dhe të karakterit lokal. Temperaturat pa ndonjë ndryshim të madh, ndërsa vazhdojnë rrymimet e fuqishme ajrore nga veriu.
Të dielën intensifikim i reshjeve të shiut sidomos në disa pjesë të Maqedonisë së Veriut, Mal të Zi dhe pjesën juglindore të Kosovës. Në veri të Malit të Zi do të fillojnë reshje bore të cilat mund të përfshijnë edhe bjeshkët e Rugovës. Në Shqipëri priten rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Sipas parashikimeve aktuale pak reshje priten në veri e veriperëndim të Kosovës. Po ashtu pak reshje priten në veriperëndim të Maqedonisë së Veriut.
Në fillim të javës së re një ciklon i fuqishëm do të fuqizohet diku në jug të Italisë dhe do të sjellë valë të reja reshjesh shiu në viset tona./MeteoBallkan















