Më në fund kemi largimin e acarit Siberik në drejtim të lindjes dhe juglindjes. Bërthama e acarit polaro-Siberik gjendet në Turkiye për momentin dhe pritet të largohet gradualisht drejt Euroazisë. Edhe në viset tona ishte acar si pasojë i kësaj mase të ftohtë Siberike, ndërsa tanimë temperaturat kanë shënuar rritje, acari është zbutur dhe vranësirat janë shtuar. Aty këtu kishte dhe ka reshje të dobëta atmosferike.
E Hëna vazhdon e vranët me reshje lokale shiu orëve të pasdites dhe mbrëmjes. Reshjet do të jenë kryesisht të pakta dhe të karakterit lokal.
E Marta vazhdon me vranësira, por me shumë intervale kohore me diell. Temperaturat shënojnë rritje të ndjeshme, ndërkohë që në disa zona sidomos në Shqipëri mund të ketë riga të dobëta shiu.
Të Mërkurën dhe të Enjten vranësirat vijnë përsëri, por mbeten gjasa për intervale më të shkrurtra kohore me diell. Temperaturat pas rritjes së ndjeshme të Martën dhe të Mërkurën, të Enjten mund të pësojnë ulje të lehta. Sa më afër fundjavës temperaturat ulen, por lehtazi derisa shtohen gjasat për reshje paksa më të shpeshta edhe në Kosovë.
Në Shqipëri gjatë tërë javës priten reshje të herëpashershme lokale shiu dhe rrebeshe shiu, por jo në të gjithë territorin, më shumë priten sa më afër zonave bregdetare. Do të ketë edhe intervale kohore me diell dhe periudha të gjata pa shi, pra nuk pritet ndonjë shi i madh.
Shumë më pak reshje këtë javë priten në Maqedoninë Veriore dhe Luginë të Preshevës, ndërsa në Mal të Zi pothuajse sikur në Shqipëri, me reshje më të shpeshta të karakterit lokal.
Fundjava vjen me dendësim më masiv të vranësirave dhe reshje shiu në gati tërë rajonin temperaturat do të shënojnë ulje kryesisht të lehta, ndërsa në viset kodrinore-malore priten reshje bore. Mund të ndodhë të kemi reshje bore edhe në zona të ulëta të Republikës së Kosovës, por kjo mbetet për tu ndjekur evoluimi i gjendjes sinoptike gjatë ditëve të ardhshme.
Përfundim:
Pra, një javë me mot të ndryshueshëm, me temperatura pak mbi mesataren. Reshjet nuk do të mungojnë, por nuk do të ketë reshje të mëdha me përjashtim të disa viseve të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Për fundjavë mundësi për ulje të temperaturave dhe reshje shiu e bore./MeteoBallkan