Nesër në Kosovë pritet të mbajë mot i nxehtë, me diell dhe vranësira lokale të cilat në disa vise malore do të kushtëzojnë rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë, më të theksuara në viset malore në veriperëndim dhe juglindje të vendit.
Temperaturat pritet të luhaten nga 14 minimalja deri në 30 gradë Celsius ajo maksimale.
Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi nesër pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira lokale. Pasdite priten zhvillime të fuqishme të vranësirave në juglindje e lindje të Shqipërisë dhe lokalisht në perëndim të Maqedonisë së Veriut e veri të Malit të Zi duke mos përjashtuar edhe veriun e Shqipërisë. Rrebeshet e shiut do të jenë më të përqëndruara në viset malore, ndërsa në viset bregdetare pritet mot i nxehtë dhe me diell. Në jug të Shqipërisë mund të ketë ndonjë rrebesh shiu edhe në bregdet.
Të mërkurën dhe të enjten paradite nxehtë, ndërsa pasdite me zhvillime të fuqishme konvektive dhe si pasojë priten shtrëngata lokale me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër. Të entjtën vonë edhe fronti i ftohtë ajror me rrebeshe intensive shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Nga e Premtja më freskët dhe stabilizim gradual./MeteoBallkan













