Vendet skandinave njihen për dimrat e gjatë dhe të errët, por banorët e tyre kanë gjetur mënyra për ta shndërruar këtë periudhë në një kohë relaksi dhe kënaqësie. Ndoshta edhe ju mund të frymëzoheni prej tyre.
Nëse ju tmerron edhe vetë mendimi për dimrin, temperaturat shumë nën zero dhe ditët gjithnjë e më të shkurtra, ndoshta ekziston një zgjidhje. Dimri në vendet skandinave zgjat shumë, temperaturat janë të ulëta dhe ditët karakterizohen nga errësira.
Megjithatë, studimet tregojnë se banorët e rajoneve veriore nuk kanë shkallë më të lartë të depresionit. Sekreti qëndron në qasjen e tyre kulturore ndaj dimrit, e cila përfshin pranimin dhe festimin e kësaj stine, në vend që thjesht të përpiqen t’i mbijetojnë asaj.
Kari Leibowitz, psikologe e shëndetit që ka studiuar këtë fenomen, thekson se ndryshimi i këndvështrimit dhe pranimi i dimrit si një periudhë e veçantë dhe e këndshme mund të lehtësojë ndjeshëm simptomat që lidhen me mungesën e dritës së diellit.
Ajo e zhvilloi hulumtimin në Tromsø të Norvegjisë, një qytet që ndodhet përtej Rrethit Arktik, ku dielli nuk lind nga nëntori deri në janar. Ajo zbuloi se, pavarësisht errësirës dhe të ftohtit ekstrem, banorët e këtij rajoni kanë një shkallë çuditërisht të ulët të depresionit.
Ja shtatë rituale skandinave të dimrit që mund t’ju ndihmojnë ta dashuroni të ftohtin.
1. Sauna
Sauna e rregullt nxit qarkullimin e gjakut, ul tensionin arterial dhe relakson trupin. Ekspertët rekomandojnë të filloni me seanca të shkurtra prej pesë deri në dhjetë minutash dhe t’i zgjasni gradualisht deri në rreth 15 minuta, duke konsumuar mjaftueshëm ujë.
Sauna shpesh kombinohet me zhytjen në ujë të akullt. Ky cikël i ngrohjes dhe ftohjes, i njohur si cikli nordik, praktikohet prej shekujsh.
Në Suedi ekzistojnë edhe banja të veçanta prej druri pranë bregdetit, të quajtura kallbadhus, ku vizitorët alternojnë qëndrimin në saunë të ngrohtë me zhytje të shkurtra në detin e ftohtë.
Kjo praktikë ndikon pozitivisht në qarkullimin e gjakut, forcon imunitetin, përmirëson humorin dhe rrit rezistencën e organizmit ndaj stresit.
2. Koselig
Ky term norvegjez nënkupton shijimin e ngrohtësisë, afërsisë dhe momenteve të këndshme me njerëzit e dashur ose në natyrë.
Ai nxit ngadalësimin e ritmit të jetës dhe pranimin e atmosferës së dimrit, në vend të nxitimit të vazhdueshëm. Përshkruan një atmosferë të këndshme dhe të ngrohtë, shpesh të shoqëruar me shoqëri dhe ushqim të mirë, që ndihmon në thyerjen e monotonisë së dimrit.
3. Útiseta
Një praktikë e lashtë nordike dhe islandeze, që përkthehet fjalë për fjalë si “të qëndruarit ulur jashtë”.
Praktika konsiston në qëndrimin rreth 15 minuta në natyrë ose pranë një dritareje të hapur, pa telefon. Qëllimi është qetësimi i mendjes përmes dëgjimit të tingujve të ambientit dhe vëzhgimit të dritës natyrore.
Në të kaluarën, kjo praktikë zhvillohej në vende të veçanta, si pyje, liqene apo tuma të lashta. Besohej se në këto vende kufiri mes botës së përditshme dhe intuitës së thellë bëhej më i hollë.
4. Fika
Një traditë suedeze e pushimit për të pirë kafe ose çaj, për të ngrënë ëmbëlsira dhe për të biseduar me miqtë, që të kujton se pushimi nuk është humbje kohe.
Gjatë kësaj pauze rekomandohet të lini mënjanë ekranet dhe t’i kushtoheni plotësisht shoqërisë. Kjo nuk është thjesht një pushim për kafe, por një ritual i rëndësishëm shoqëror që nxit lidhjen mes njerëzve.
5. Mys
Ekuivalenti suedez i konceptit danez hygge (filozofi e jetës që nënkupton ndjenjën e rehatisë së thellë, relaksimit, ngrohtësisë dhe kënaqësisë në momentet e vogla të përditshme), përqendrohet në krijimin e një ambienti relaksues në shtëpi, përmes qirinjve, ndriçimit të zbehtë dhe batanijeve të ngrohta.
Fikja e dritave të forta dhe lënia mënjanë e telefonit një orë para gjumit ndihmon në relaksimin gjatë mbrëmjes.
6. Lagom
Ky koncept nënkupton “tamam sa duhet” dhe promovon ekuilibrin, në vend të perfeksionizmit rraskapitës në të gjitha aspektet e jetës: punë, pushim dhe ushqim.
As shumë, as pak – por aq sa duhet.
Gjatë dimrit, kjo nënkupton aktivitet fizik të moderuar që ju jep energji, ushqim sezonal dhe respektimin e nevojës së trupit për gjumë.
7. Friluftsliv
I përkthyer fjalë për fjalë si “jeta në natyrë”, ky ritual nxit daljen e përditshme në ajër të pastër dhe në dritën e ditës, pavarësisht kushteve atmosferike.
Skandinavët udhëhiqen nga shprehja e njohur se nuk ka mot të keq, por vetëm veshje të papërshtatshme.
Edhe një shëtitje e shkurtër gjatë dimrit ndihmon në rregullimin e gjumit dhe lehtësimin e lodhjes sezonale.
Në Finlandë ekziston gjithashtu parimi jokamiehenoikeus, i cili i garanton çdo njeriu të drejtën e lëvizjes së lirë në natyrë.















