Gjatë natës dhe nesër pritet destabilizim i fuqishëm i motit.
Fillimisht do të fillojnë të fryjnë erëra të fuqishme lokale nga jugperëndimi me reshje lokale shiu e mundësi për rrebeshe lokale me vetëtima dhe bubullimë, kurse të gjatë paradites nesër do të kemi ardhjen e frontit të fuqishëm, të ftohtë ajror me erëra të fuqishme nga veriu e veriperëndimi. Fronti i ftohtë do të sjellë vranësira të dendura e reshje të dendura shiu kalimtare e në viset malore reshje të dendura bore. Temperaturat do të shënojnë ulje të theksuara pas frontit të ftohtë ajror.
Maksimalja pritet të arrijë deri në 16 gradë Celsius dhe atë para frontit të ftohtë, kurse me kalimin e frontit të ftohtë temperaturat do të zbresin në mënyrë rapide së pari në veri të vendit, pastaj edhe në jug,
Në fund të reshjeve lokalisht në Rrafshin e Kosovës do të paraqiten edhe reshjet e borës.
Reshje lokalisht të dendura shiu nesër priten edhe në Shqipëri dhe Mal të Zi e pastaj edhe në Maqedoninë e Veriut e Luginë të Preshevës. Në veri të Malit të Zi do të fillojnë reshje të dendura bore. Reshjet më të mëdha në tërë rajonin do të jenë para frontit të ftohtë e sidomos gjatë kalimit të frontit të ftohtë, ngase pas kalimit të frontit të ftohtë reshjet do të fillojnë të humbin intensitet.
Temperaturat dimërore do të përfshijnë Kosovën dhe pjesë të rajonit natën me së hënës e së martës. Mëngjesi i së martës do të jetë me acar e dita kryesisht me diell por e ftohtë. Po ashtu në mëngjes mund të ketë edhe mjegull.
Të mërkurën pas një mëngjesi mjaft të ftohtë dhe me acar, gjatë ditës do të ketë shtim gradual të vranësirave./MeteoBallkan














