Nesër në Kosovë pritet të mbajë mot me diell dhe jashtëzakonisht i nxehtë, por do të ketë edhe vranësira të pakta lokale. Pasdite në viset malore në juglindje të Kosovës mund të ketë zhvillime konvektive me ndonjë rrebesh të izoluar shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Temperaturat parashihet të luhaten nga 18 minimalja deri në 37 apo 38 gradë Celsius ajo maksimale. Në disa rajone të Kosovës pritet natë tropikale ngase temperatura nuk do të zbres nën 20 gradë Celsius.
Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi nesër pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë. Pasdite në disa vise në juglindje dhe lindje të Shqipërisë si dhe në perëndim të Maqedonisë së Veriut mund të ketë zhvillime të disa vranësirave konvektive me ndonjë rrebesh të izoluar shiu me vetëtima dhe bubullimë dhe kjo do të ndodhë në viset malore.
Edhe fundjava do të jetë shumë e nxehtë në të gjitha viset tona sidomos e shtuna, ndërsa të dielën mund të ketë ulje të lehta të temperaturave. Gjithashtu do të ketë gjasa për disa zhvillime konvektive kryesisht në viset malore me mundësi për ndonjë stuhi të izoluar me vetëtima dhe bubullimë, por në përgjithësi vazhdon thatësia ekstreme apo pa ndonjë reshje signifikante./MeteoBallkan














