Ende jemi në sektorin e nxehtë të temperaturave dhe për këtë arsye edhe sot është shumë nxehtë, ndërsa anticikloni i fuqishëm në largim e sipër po siguron edhe sot mot me diell dhe stabil. Temperaturat janë rritur edhe më shumë ngase me afrimin e masave ciklonike janë fuqizuar rrymimet ajrore nga Afrika veriore.
Të Hënën nga Evropa veriore përmes Alpeve do të kemi depërtimin e një fronti shumë të fuqishëm të ftohtë ajror.
Ky front i ftohtë ajror do të provokojë krijimin e një ciklogjeneze të fuqishme në Detin Adriatik dhe si pasojë do të formohen vranësira të dendura me reshje intensive shiu me vetëtima dhe bubullimë. Sistemet frontale do të rrugëtojnë nga perëndimi në lindje. Në Shqipëri pritet të arrijnë të hënën në mbrëmje, ndërsa në Kosovë po ashtu të hënën vonë, por mund të ndodhë deri të Martën. Para ardhjes së këtyre sistemeve të fuqishme do të jenë ende mjaft ngrohtë si në Kosovë, po ashtu edhe në Shqipëri, por me zhvillime të stuhive të izoluara.
Do të jetë ky një front dhe ciklon shumë i mirëseardhur sepse do të na sjellë reshje atmosferike aq shumë të nevojshme dhe po ashtu do të kushtëzojë edhe ulje të kënaqshme të temperaturave pas shumë periudhave me mot ekstremisht të nxehtë.
Reshjet më intensive të shiut do të jenë mbrëmjen e vonshme të së hënës dhe mëngjesi i së martës në Shqipëri, kurse në Kosovë mëngjesi dhe dita e martë deri në mëngjesin hershëm të së mërkurës.
Pra, të theksojmë prapë se jemi para një ndryshimi substancial të motit. Temperaturat do të shënojnë ulje graduale, por mbetet ende ngrohtë deri në ardhjen e vranësirave të dendura dhe reshjeve intensive (e martë).
Pas kalimit të ciklogjenezës së parë me reshje shiu e ulje të temperaturave në mesjavë do të kemi përmirësim afatshkurtër të motit.
Gjatë kësaj kohe një tjetër front i fuqishëm i ftohtë ajror depërton në Detin Adriatik duke krijuar ciklogjenezen e dytë afër fundit të javës së re. Ky ciklon i fuqishëm do të shkaktojë ulje edhe më të theksuara të temperaturave dhe për këtë arsye vikendi i ardhshëm pritet të jetë mjaft i freskët dhe pothuajse vjeshtor. Reshjet të reja shiu e rrebeshe priten nga e Premtja dhe herë pas here edhe gjatë fundjavës./MeteoBallkan